Fund Studentëve të përjetshëm

Ata mund të jenë të moshuar. Në shtëpi kanë shumë obligime. Në disa raste, të njëjtit mund të kenë probleme të ecin, sepse lodhën nga mosha. Pavarësisht të gjithave, ata nuk duan të dorëzohen para një dëshire, thjesht të kenë një diplomë universiteti.
Edhe pse shumë prej tyre mund të kenë nisur studimet kur kanë qenë të rinj, ata ende janë studentë. Ata nuk i pengon fakti se kur kanë nisur studimet kanë qenë të rinj e tash që ende i vazhdojnë, fytyrat i kanë të mbushura nga rrudhat e moshës.
Numri i këtyre studentëve të “përjetshëm” duket të jetë i lartë. Në këtë rast prin Universiteti i Prishtinës. Në institucionin e nivelit më të lartë publik në vend, llogaritet të jenë 8 mijë studentë “pleq”.
Këtë shifër e jep vetë rektori i UP-së, Mujë Rugova. “Kemi studentë këtu që nga vitet ‘80. 30 vjet studentë, gati janë moshatar të mi”, thotë rektori Mujë Rugova për Express.
Por ata që kanë filluar studimet para tri dekadash, duket se kanë arsyet e veta.
A.F. është njëra prej tyre. Koha kur ajo ka nisur të studiojë Fakultetin e Mjekësisë tash kanë hyrë edhe në librat e historisë, siç janë demonstratat e vitit 1980.
“Për arsye të situatës së vështirë në vitet ‘80, kur filluan edhe demonstratat kundër pushtuesit serb, unë i ndërpreva studimet”, thotë A.F. nga Prishtina, e cila ndjehet e turpëruar për këtë dhe kërkon që të mos i publikohet emri i plotë.
Sipas saj, ka qenë e paarsyeshme në atë kohë të vazhdoheshin studimet ngase situata çdo ditë përkeqësohej.
Tash, duket se është momenti i fundit për këtë studente dhe mijëra të tjera në UP sikurse kjo, që më në fund të kenë një diplomë universiteti.
Sipas rektorit Mujë Rugova, të gjithë studentët kanë mundësi të hyjnë në provim në një lëndë, vetëm tri herë. Kreu i universitetit këtë e bazon në rregulloren e miratuar nga ky institucion.
“Në qoftë se nuk arrin rezultat tri herë, formohet një komision që do ta pyesë studentin pa prezencën e profesorit. Në rast se nuk kalon, atëherë studenti ka të drejtë të hyjë në provim dy herë para komisionit, nëse ai ka arsye të fortë”, thotë Rugova për Express.
Por në UP, ka shumë raste që një student mbetet disa herë në provimin e të njëjtit profesor, si pasojë e inateve.
Edhe në këtë rast, sipas rektorit, zgjidhja është te komisioni dhe në shumicën e rasteve, vlerësimi është në favor të studentëve.
Që të mos vijë puna deri te komisioni, rektori ka dhënë zgjidhjen e tij të cilën të gjithë e dinë. Studentët duhet të mësojnë e jo të rrinë tërë kohën në kafene.
Rregullorja
Neni 128 (1) i Statutit të UP-së thotë se ”studenti ka të drejtë të riprovohet në lëndën të cilën nuk e ka dhënë, ka të drejtë të hyjë më së shumti tri herë në provimin të cilin nuk e ka dhënë. Studenti pasi të ankohet, me një arsyetim të fortë, mund t’i lejohet nga dekani i njësisë akademike që të hyjë në provim për të katërtën herë. Provimi pastaj mund te mbahet para komisionit prej tre anëtarësh, të cilët janë të emëruar nga dekani i njësisë akademike”.