E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia “shpëton” Damir Fazlliçin nga dara e Prokurorisë

Prapaskenat e grupit të prokurorëve, që nisën procedimin penal. Trajektorja e Damir Fazlliçit gjatë vizitës 5-orëshe në Tiranë

Habjon Hasani

Tiranë - Ndërsa Damir Fazlliç zbriti dje nga çarteri i tij në Rinas për t’iu drejtuar zyrave të një televizioni të njohur ku do jepte intervistën, prokurorët ishin duke detajuar shkeljet e tij dhe dyshimet për pastrimin e parave. Pikërisht në zyrë janë informuar për ardhjen e tij, e ndërsa kanë vendosur procedimin për pastrim parash, lindi dhe ideja për ta marrë në pyetje duke qenë se vetë zoti Fazlliç ishte prezent në shtetin tonë, ku prokurorët dyshojnë se ai ka pastruar para. Një informacion i mëvonshëm, i ardhur te prokurorët, i sinjalizoi ata se zoti Fazlliç kishte ardhur gjithë pompozitet dhe i shoqëruar nga aeroporti deri në daljen e autostradës nga makina të Komisariatit të Rinasit. Ky fakt duket se i bëri të mendohen prokurorët, të cilët gjithsesi po përpilonin procedimin penal për të. Por fill pas këtyre dilemave erdhi informacioni tjetër, se zoti Fazlliç e kishte mbaruar intervistën e tij, i kishte hipur makinës dhe po nisej drejt Rinasit për të vazhduar me kthimin në Londër. Prokurorët u mobilizuan dhe panë mundësinë e ndalimit të tij për ta marrë në pyetje, por në diskutim e sipër ata “janë kujtuar” se nuk kishin një urdhër ndalimi zyrtar për të. Nëse do të tentonin ta merrnin në pyetje pa urdhër ndalimi, gjithçka mund të kthehej në një skandal më vete, pasi ligjërisht zoti Fazlliç i kishte të gjitha të drejtat për t’i refuzuar dhe për t’i bërë prokurorët të ngeleshin me gisht në gojë në Rinas. Gjithsesi, tashmë është zyrtar fakti se ndaj Damir Fazlliçit ka filluar procedimi për pastrim parash në Shqipëri, si pasojë e shitjes së rreme të kompanisë së tij “Croun Acquisitions” në vlerën 1 milion e 700 mijë euro.
Vizita
Vetëm pas pak orësh qëndrimi, sa për të dhënë një intervistë televizive, ai është larguar me avionin e tij. Damir Fazlliç është larguar nga Shqipëria me avionin çarter vetëm pas pesë orësh qëndrimi në Tiranë. Serbo-boshnjaku mbërriti dje në mesditë në Tiranë, në kulmin e akuzave për afera korruptive dhe shitje fiktive të kompanive, ku sipas dokumenteve, janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit. Biznesmeni serbo-boshnjak ka shmangur mediat dhe pyetjet e gazetarëve, të cilët ndodheshin në pritje të tij. Fazlliç është nisur menjëherë për në Rinas, duke mos u takuar me asnjë gazetar apo zyrtar tjetër në vend. Prezenca e Damir Fazlliçit në Tiranë vjen në një moment kur politika është përfshirë në një debat të thellë mbi njeriun misterioz, i përfolur për lidhje biznesesh dhe interesash të dyshimta në Shqipëri me njerëz shumë pranë kryeministrit dhe ministrit Basha.
Fazlliç
Njeriu i vënë në akuza të forta nga media dhe opozita për krijime biznesesh fantazmë, të cilat dyshohen se pastrojnë para, erdhi në mes të ditës me diell në Tiranë dhe nuk u ndalua nga askush, nga asnjë prokuror apo polic. Shtypi serioz vendas hodhi këto ditë dritë mbi veprime shumë të dyshimta të Fazlliçit, ku më e pakta është evazioni fiskal në dëm të shtetit shqiptar në një shumë prej 170 mijë eurosh dhe ku më seriozja, që meriton një hetim radikal, është akuza për pastrim parash në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale. Përkundrazi, Fazlliç erdhi me destinacion studion televizive të një medieje private pranë qeverisë, dha një intervistë dhe prej andej iku nga kishte ardhur, duke iu drejtuar aeroportit “Nënë Tereza”, ku e priste çarteri i tij.

Prokuroria shpall zyrtarisht hetimin e çështjes

Prokuroria ka vendosur që në mbrëmjen e së martës që të thellojë hetimet paraprake lidhur me aktivitetin e Damir Fazlliçit në Shqipëri. “Albania” është interesuar lidhur me ecurinë e vlerësimeve të prokurorëve, të cilët nisën verifikimet pas dokumenteve të botuara në media dhe ka publikuar ekskluzivisht dje mendimin e hetuesve se kishte shenja të qarta të pastrimit të parave dhe të evazionit fiskal në dokumentacionin e sekuestruar. Gjithsesi, vetëm dje prokuroria shpalli zyrtarisht hetimin dhe procedimin e kësaj çështjeje. Sikurse pritej, firma “Crown Acquisitions” ka sjellë dhe dyshimet e para për hetuesit, ndërsa në filtër kanë kaluar të gjitha firmat e tjera. “Albania” mësoi se zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme janë informuar që një javë para në mënyrë informale lidhur me ekzistencën e fakteve të rënda për biznesmenin Fazlliç. Por arrestimi i Fazlliçit solli me urgjencë dhe botimin e fakteve në gazetat kryesore të vendit, ndërsa në Prokurorinë e Përgjithshme u vendos të analizohej situata mbrëmjen e së shtunës. Por një pjesë e dokumenteve të firmave të Fazlliçit janë tërhequr që mbrëmjen e së enjtes së kaluar nga Prokuroria, fill pasi disa drejtues të saj u informuan lidhur me ekzistencën e problemeve të firmave të zotit Fazlliç. Ekspozimi në media solli dhe një veprim procedural për verifikimin zyrtar paraprak të të dhënave. Deri tani mësohet se faza e parë do të jetë ezaurimi dhe sqarimi i të gjithë procedurës së ndjekur nga firma “Croun Acquisitions”, e cila iu shit në mënyrë fiktive (në vlerën 1.7 milion euro) firmës qipriote “Altaria Research Limited”, pas së cilës fshihet grupi i fuqishëm serb “Rudnap”. Në mënyrë tepër kofidenciale “Albania” është informuar dje nga një përfaqësues i organit të akuzës se gjatë hetimeve të dosjes “Gërdeci”, në verifikimet dhe bisedat e prokurorëve është përmendur dhe emri i ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. “Bëhet fjalë për disa tabulate telefonike nga numri i zyrës së ish-ministrit të Transporteve, të cilat korrespondojnë dhe përputhen në mënyrë shumë harmonike me disa veprime që janë marrë paralelisht nga aktorët kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Janë telefonata drejt një numri në Londër. Megjithatë, ne u mjaftuam vetëm me këtë të dhënë, pasi nuk kishte ndonjë material apo të dhënë lidhëse që mund të merrej si urë për të lidhur zhvillimet”, - i tha burimi “Albania”-s.

Pas firmës qipriote fshihet grupi serb “Rudnap”

Gazeta “Albania” ka zbuluar dy ditë më parë “dokumente në të cilat faktohej se pas firmës qipriote qëndronte grupi serb “Rudnap”. E njëjta firmë qipriote duket se zhvillon dy aktivitete të tjera, në Kroaci dhe në Vjenë, sërish si pjesë e grupit “Rudnap”. Duket se kjo pistë ka kuotuar dhe mundësinë e pastrimit të parave që përfitohen si pasojë e importimit të energjisë nga kompanitë serbe. Në regjistrin shtetëror të regjistrimit të firmave në Zagreb të Kroacisë rezulton se firma “Altaria Research Limited” ka krijuar më 19 nëntor të vitit 2007 firmën ”Rudnap Energija d.o.o”. Gazeta “Albania” disponon dokumente të marra në burime zyrtare kroate, të cilat saktësojnë se kompania e re, e krijuar në Kroaci (nga firma që dy muaj më parë kishte blerë gjoja kompaninë e Damir Fazlliçit në Shqipëri) është regjistruar në regjistrin tregtar kroat me Nipt: Tt-07/13527-2, me numër regjistri 080632088. Por lidhja vazhdon edhe në Vjenë, ku pikërisht i njëjti përfaqësues i firmës serbe “Rudnap” bën dhe përfaqësuesin e kësaj firme për llogari të firmës ”Altaria Research Limited”. Më konkretisht, bëhet fjalë për zotin Aleksandër Lupsiç, i cili përfaqëson grupin “Rudnap” në Vjenë, por njëkohësisht ka regjistruar në entet e biznesit edhe origjinën e ”Rudnap”-it në Vjenë, duke përcaktuar si adresë themelore adresën: Nikozije, Cipar, Nikozija, Irakli, 2, Egkomi, P. C. 2413. Identike me adresën e firmës ”Altaria Research Limited”.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›