E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjimi rezistence Gadaffi dyshohet te jete ne Algjeri

Nuk do të ketë një fund të shpejtë të luftimeve dhe as sukses në negociatat e kryengritësve në Libi me besnikët e regjimit për amnisti, sa kohë nuk do të gjendet Muammar Gadaffi. E ndërsa, Tripoli është gati tërësisht në duart e kryengritësve, e ndërsa luftimet janë zhvendosur në Sirte dhe në disa qytete më të vogla përgjate bregdetit, spekulimet për vendndodhjen e kolonelit janë të shumta. Të premten në mbrëmje, kryengritësit thanë se e kishin rrethuar në Tripoli, më herët se ai ndodhej në qytetin e vet të lindjes në Sirte, ndërsa tashmë pretendohet se gedafi mund të ketë kaluar kufirin për të shkuar në Algjeri.

Siç shkruan Corriere della Sera e cila i referohet agjencisë shtetërore egjiptiane të lajmeve Mena, një kolonë me gjashtë Mercedes të blinduar ka kaluar kufirin mes Libisë dhe Algjerisë, e në njërin prej automjeteve mendohet se ka qenë Gadaffi.  Agjencia nga ana e saj citon kryengritësit që thonë se në këto makina kanë qenë zyrtarë të lartë libianë, apo edhe vetë kolonel Gadaffi dhe se ata nuk kanë mundur t’i ndalojnë për shkak se kolona shoqërohej nga dy brigada të armatosura të besnikëve të regjimit. Autoritetet algejriane nuk e kanë konfirmuar njoftimin.

Algjeria ka mbajtur një pozicion të moderuar në konfliktin libian dhe nuk e ka njohur Këshillin Kombëtar të Tranzicionit. Ndërkohë, jashtë Tripolit, krynegritësit po ndeshin rezistencë të ashpër ndërsa përparojnë drejt Sirtes, qytet rreth 450 km larg kryeqytetit. Fronti i luftimeve është përforcuar në Ras Lanuf, pasi zjarri i artilerisë së rëndë të besnikëve të regjimit nga Sirte i detyroi të tërhiqen. Nato ka vazhduar bombardimet e tankeve të regjimit, si dhe bunkerin e kolonelit në Sirte.  

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›