E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjimi sirian vë në lëvizje armët kimike

Shërbimet sekret njoftojnë se regjimi sirian po lëviz armët kimike në rajonin Homs, ku është përqendruar edhe lufta më e madhe e kryengritësve ndaj pushtetit të Asadit. Lajmi bëhet i ditur nga Sky News i cili citon zyrtarë të lartë të shërbimit sekret britanik. Pretendimet i kishte shfaqur më herët SHBA-ja dhe shërbimet e saj sekrete. Ishte Fox News ai që njoftoi paraprakisht përmes burimeve të departamentit amerikan të Mbrojtjes se autoritetet siriane po shpërngulin gazin nervin dhe atë Sarin drejt Homsit.

Sipas të dhënave, presidenti Bashar al-Asad ka urdhëruar komandantët ushtarake që të mund ta përdorin atë gjatë kryengritjes së vazhdueshme. Regjimi i Sirisë njihet për 4 uzina ku prodhohen agjentë kimikë; ajo në Hama, Latakia, Al Safira dhe Damask. Po ashtu, në shumë qytetet të tjera ka magazine gjigante me lëndë të tilla. Sipas burimeve të inteligjencës në Lindjen e Mesme, Siria posedon sasinë më të madhe të Sarinit, gazit nerving VX, si dhe Ipritit. Nga ana tjetër, një pjesë e analistëve të huaj theksojnë se Siria po i shpërngul agjentët kimik që ata të mos bien në duart e kryengritësve, dhe gjithë kjo histori, është një trillim dhe një tendencë për ndërhyrje ushtarake nga SHBA-ja.

Nga ana tjetër, masakra e një ditë më parë në Siri, ku sipas aktivistëve opozitar la të vdekur mbi 200 persona, është dënuar nga ndërkombëtarët edhe pse Siria doli me qëndrimin se kishte sulmuar terroristë. Krimi pritet të zbardhet nga grupi hetimor i OKB-së që gjendet në vendngjarje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›