Dialogu Kosovë-Serbi, Nikoliç do të luajë rol aktiv

Marko Duric, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, tha se duhet në mënyrë urgjente, të arrihet konsensusi për Kosovën. Sipas tij, Nikolici ka shprehur gatishmërinë që personalisht të marrë pjesë në procesin e zgjidhjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Si njeriu i parë i Serbisë, ai do ta respektojë Kushtetutën. Në përputhje me të dhe autorizimet ligjore të presidentit - që nuk janë të vogla - mundësohet që në bashkëpunim me qeverinë të marrë pjesë në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha Duric.
"Nuk ka dyshim se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbart peshën e dialogut serbo-shqiptar. E, nëse ne duam që të sigurojmë paqe të qëndrueshme në Ballkan, duhet ta zgjidhim raportin serbo-shqiptar duke zgjidhur marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës në nivel politik.
Deri te një zgjidhje e kënaqshme nuk mund të arrihet pa konsensus të brendshëm, si dhe pa informimin e qytetarëve dhe subjekteve tjera në shoqëri se cili është raporti i forcave në botë e në terren, si dhe në vetë Serbinë, se cilat perspektivat e cilat janë hapat që do të ndërmarrim për të përmirësuar pozitën tonë”- citohet të ketë thënë keshilltari për politikë të jashtme i presidentit të Serbisë. Konsensusi politik, thotë ai, duhet të arrihet mes aktorëve kryesorë politikë - të krerëve të koalicionit qeverisës në Serbi.