E Diel, 1 Nëntor 2026

“Regjistri i Pronave, një tjetër histori suksesi i Shqipërisë moderne”

22-07-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në prezantimin e projekti i BE-së dhe OSBE-së, “Regjistrimi i pronave dhe sinjalistika e re rrugore në bregdetin jugor të Shqipërisë”

“Realizmi i Regjistrit të pronave, do të jetë një tjetër histori suksesi, sikurse edhe realizimi i Regjistrit të Gjendjes Civile. Brenda majit të vitit 2013, do të kemi pasqyrën dixhitale të Shqipërisë aktuale, në njerëz, në banesa, në prona, si një kusht shumë i domosdoshëm për realizimin e projektit ‘Shqipëria vend i zhvilluar’”.
Kështu u shpreh midis të tjerave dje Kryeministri Sali Berisha i cili ishte i pranishëm në prezantimin e projektit “Regjistrimi i pronave dhe sinjalistika e re rrugore në bregdetin jugor të Shqipërisë”. Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian në vlerën 1.5 milionë euro, si dhe me fonde shtesë të qeverisë greke (100 000 euro), qeverisë zvicerane (30 000 euro) dhe qeverisë çeke (50 000 euro), ndërsa zbatimi i tij realizohet nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm Kryetari i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadori Ettore Sequi, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, Zëvendësministrja e Drejtësië Brikena Kasmi, Kreyregjistruesi i Republikës Arben Qirjako, drejtues të tjerë të institucioneve që trajtojnë çështjet e pronave, etj.
Kryeministri Berisha falënderoi me shumë mirënjohje Komisionin Evropian dhe qeveritë e tjera donatore në këtë projekt, si dhe falënderoi Prezencën e OSBE-së në Tiranë për angazhimin në zbatimin e këtij projekti. OSBE, theksoi Kryeministri, ka krijuar një eksperiencë të çmuar, pas përfundimit të projektit të Regjistrit të Gjendjes Civile, përmes ekspertizën e saj.
Kryeministri shprehu besimin e plotë se, me gjithë kompleksitetin e pamohueshëm, ky projekt do të jetë një histori suksesi, ashtu siç ka qenë një histori tjetër suksesi Regjistri i Gjendjes Civile. Ky projekt është i një rëndësie nevralgjike për problemin e pronësisë në tërësi në vend, për ekonominë e tregut dhe zhvillimin e turizmit, tha ai.
Kryeministri theksoi se regjistri i pronave të paluajtshme përbën në të gjithë axhendën dixhitale të qeverisë, objektivin e parë dhe më madhor.
“Në këtë kontekst, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, por së shpejti edhe me qeverinë austriake, qeveria ka përcaktuar një objektiv; të mobilizojë të gjitha resurset njerëzore e financiare, teknike e të gjithanshme, për të përfunduar regjistrin e pasurive të paluajtshme, nga sot deri në maj të vitit 2013. Ky mandat ka këtë si një nga objektivët më madhorë. Ne jemi të bindur dhe disponojmë të gjitha mjetet dhe mundësitë që të realizojmë dhe të kemi njërin nga regjistrat më solid të pasurive të paluajtshme në vend. Siç ju e dini, paralel me të, do të jetë censusi i popullatës. Procesi përfshin regjistrimin jo vetëm të qytetarëve, por përfshin dhe regjistrimin e banesave. Pra, ky proces do të bëhet në tërësi dhe brenda majit të vitit 2013, do të kemi pasqyrën dixhitale të Shqipërisë aktuale, në njerëz, në banesa, në prona. Mendoj se kjo përbën një kusht shumë të domosdoshëm për realizimin e projektit të të gjitha projekteve të Shqipërisë dhe shqiptarëve, projekti ‘Shqipëria vend i zhvilluar’. Ky regjistër, ky dokumentacion përbën një bazë shumë të domosdoshme, një inkurajim shumë të madh për investimet jo vetëm në fushën e turizmit, por edhe në të gjitha fushat e tjera”, vijoi Kryeministri.
Projekti për regjistrimin e tokës në një zonë turistike kyçe të Shqipërisë, ka për qëllim të kompletojë regjistrimin e parë të pronës dhe të përditësojë regjistrimin ekzistues për rreth 60.000 prona në zonat bregdetare të vendit. Realizimi i këtij procesi do të nxisë dhe rrisë potencialin turistik dhe investimet në këtë zonë. Projekti përfshin gjithashtu dhe sinjalistikat e reja rrugore në të gjithë zonat e bregut jugor. 
Projekti mbledh dhe proceson të dhëna në lidhje me pronat dhe lehtëson pjesëmarrjen  e publikut në një proces transparent që u siguron institucioneve shtetërore informacionin e duhur për të përcaktuar me saktësi dhe mbrojtur të drejtat e pronave. Të gjitha dokumentet dhe hartat e mbledhura dhe gjeneruar prej këtij projekti do të dërgohen tek Zyra e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme.

Ettore Sequi, kreu i Delegacionit Evropian në Shqipëri

“Projekti, segment i rrugës së Shqipërisë drejt Europës, i cili po jep frytet e veta”

Kreu i Delegacionit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, e vlerësoi dje projektin mbi “Regjistrimi i pronave dhe sinjalistika e re rrugore në bregdetin jugor të Shqipërisë”, si një “segment të rrugës tuaj drejt Europës, i cili po jep frytet e veta”.
Sipas Sequi, ky projekt shërben për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, por edhe për plotësimin e përmirësimin e çështjes së pronësisë në vend.
“Titujt e qartë të pronësisë dhe siguria ligjore përbëjnë kushte paraprake thelbësore për zhvillimin e begatë të vendit dhe për thithjen e investimeve të huaja. Vetëm kur një sistem i tillë të jetë vendosur përfundimisht, atëherë Shqipëria do të mund të kthehet në një terren tërheqës për investitorët e huaj për të krijuar veprime që çojnë drejt gjenerimit të punësimit”, tha Sequi.
Sipas tij, “sezoni turistik ka filluar dhe mjaft turistë shqiptar dhe të huaj presin të shijojnë zonat e bukura bregdetare të Shqipërisë. Turistët mund të jenë investitorë të vegjël që kalojnë pushimet, por edhe investitorë të mëdhenj që mund të zhvillojnë zona të mëdha për turizëm të begatë dhe do të ishte fatkeqësi nëse këta investitorë do të kenë probleme me pronat. Prandaj BE mundëson këtë projekt për regjistrimin e pronave në bregdetin shqiptar”, tha ai. Sequi vuri në dukje se, BE ka eksperiencë të gjatë me çështjet e pronësisë. “Rëndësia që ne i japim zgjidhjes së pronësisë është bërë më e përcaktuar në raportin analitik të Komisionit Evropian që është i gatshëm të vlerësojë statusin kandidat të Shqipërisë në BE”, tha ai.

Eugen Wollfarth, kreu i i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

”OSBE e angazhuar që të sigurojë mbështetje
për Shqipërinë në lidhje me reformën në pronësi”

Kreu i i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Ëollfarth theksoi dje gjatë prezantimit të projektit mbi “Regjistrimi i pronave dhe sinjalistika e re rrugore në bregdetin jugor të Shqipërisë”, se procesi i regjistrimit të pronës së paluajtshme në Shqipëri është mjaft kompleks. 
Sipas tij, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, është mandatuar që të sigurojë mbështetje për Shqipërinë në lidhje me reformën në pronësi në bashkëpunim të ngushtë, si dhe duke u këshilluar me autoritetet shqiptare”.
“Projekti u përgatit që në vitin 2009, me ndihmën e një veprimi të prezencës së OSBE-së, ku një memorandum mirëkuptimi për të drejtuar zbatimin e projektit të Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme dhe sinjalistikën në zonat bregdetare në Shqipëri u firmos së bashku me Ministrin e  Drejtësisë”, tha Ëollfarth.    
Sipas Ëollfarth, institucioni kyç në këtë projekt është ZRPP.
“Nuk është as roli dhe as përgjegjësia e Prezencës së OSBE-së të përcaktojë se kush është pronari i ligjshëm i një prone. Kjo është përgjegjësia ekskluzive e shtetit shqiptar. Roli i prezencës së OSBE-së është t’i ofrojë ZRPP-së dhe Ministrisë së Drejtësisë ndihmë teknike për regjistrimin e të drejtave të pronësisë”, theksoi kreu i Prezencës së OSBE-së.    
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka një marrëveshje me një organizatë lokale jo qeveritare, Qendrën për Kërkim, bashkëpunim dhe Zhvillim (CRCD),  e cila siguron që të gjithë personat e interesuar për procesin të jenë informuar si dhe lehtëson pjesëmarrjen e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›