E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet paketa e re fiskale – shanse të reja për rritjen e eksporteve

22-07-2011 / Gazeta 55

Kuvendi e mbylli sesionin e pranverës me votimin e paketës së re fiskale, edhe pse opozita refuzoi t’i bashkohej një nisme që mbështeste biznesin vendas dhe favorizonte hapjen e mijëra vendeve të reja të punës


Ligjvënësit votuan dje në seancën e fundit plenare, për miratimin e draftit të paketës së re fiskale. Me 71 “pro” të mazhorancës dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi miratoi ndryshimet e propozuara nga ministria e Financave në paketën fiskale për vitin 2011, në thelb të së cilës ishte heqja e doganës për automjetet, rritja e akcizës për karburantet, ulja e akcizës për birrën dhe heqja e tarifës doganore 10 për qind për veshjet. Ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”, sqarojnë mënyrën e pagesës së taksës doganore për makinat e importuara dhe synojnë zhbllokimin e tregut të brendshëm të shitjes së automjeteve të Tashmë taksa makinës do të paguhen në varësi të përdorimit të saj. Ndërsa ndryshimet në ligjin “Për akcizat”, synojnë uljen e barrës fiskale në sektorin e prodhimit të birrës në vend. Synohet përshpejtimi i procedurës së rimbursimit të akcizës së paguar në blerje. Nga 4-7 muaj që ishte, tani do të jetë brenda një muaji. Në rast të kundërt personit të tatueshëm i lind e drejta e mos pagesës së detyrimeve të tjera tatimore, në masën e akcizës së pretenduar për rimbursim. Gjithashtu industritë vendase, të cilat përdorin si lëndë të para produkte të akcizës, iu rimbursohet akciza e paguar në blerje. Kuvendi miratoi po ashtu heqjen e tarifës së importit prej 15 % për industrinë e konfeksioneve në vend. Vendimi synon zgjerimin më tej të kësaj industrie.


Berisha: Falja është dhunti e një ligji dhe shteti që funksionon


Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se votimi në kuvend i faljes e cila nuk u shndërrua në amnisti për shkak të opozitës, ka përmasa të mëdha dhe ka pasur impakt direkt në ekonominë e vendit tonë. Gjatë seancës plenare, Berisha u ndal në ligjin për faljen e cila sipas tij edhe pse nuk u shndërrua dot në amnisti, deputetët e mazhorancës shfrytëzuan të gjitha hapësirat ligjore për t’i dhënë përmasat më të gjëra. “Nuk u shndërrua dot në amnisti për shkak të një qëndrimi konstant politik të drejtuesve aktual të opozitës të cilët besojnë se jo votimi, qoftë edhe në interesin më jetik të qytetarëve që përfaqësojnë, por bllokimi dhe vetëm bllokimi duke besuar verbërisht se në këtë mënyrë mund të  afrohen më shpejt karrigeve të amshuara”, theksoi kreu i ekzekutivit. Duke theksuar se falja është dhunti e një shteti që funksionon, virtyt i kodit moral të çdo shoqërie dhe çdo shteti demokratik, kreu i qeverisë Sali Berisha vuri në dukje se vetëm nga falja e detyrimeve në energji elektrike dhe ujësjellës kanë përfituar mbi 260 mijë familje shqiptare. Edhe votimin e heqjes së taksës për automjetet nga e cila do përfitojnë qindra e mijëra shqiptarë, kryeministri e cilësoi një veprim të drejtë. Duke u ndalur edhe në heqjen e tarifës doganore për mallrat e importuar për industrinë e veshjeve, shefi i qeverisë deklaroi se “miratimi i këtij vendimi ka ndikim  të mëdha, në fuqizimin e kësaj industrie si dhe për krijimin e mijëra e mijëra vendeve të punës në këtë industri”. Gjithashtu kryeministri u shpreh se një tjetër përparësi e kësaj mazhorance qeverisëse është edhe rritja e rrogave dhe e pensioneve për qytetarët shqiptarë. Kreu i ekzekutivit nënvizoi se “Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme të larta, nuk është me të ardhura të ulëta e as të mesme, ndaj dhe ne duhet të ndjekim këtë politikë”. Duke e cilësuar vendim të drejtë edhe përgjysmimin e akcizës së birrës, Berisha garantoj se “qeveria ka marrë dhe do të ndërmarrë reforma të vazhdueshme me të cilat përpiqet për të ulur shpenzimet e domosdoshme të tyre në shërbime, që të mund të frenohet rritja e kostos së jetesës”. Në fjalën e tij, gjatë seancës së fundit të sesionit plenar, Berisha u ndal edhe në çmimet e telefonisë celulare, ku theksoi se “çmimet aktuale janë 60 - 80 % më të ulëta se dy vjet më pare, dhe ne insistojmë që të ketë rënie të tjera çmimesh”.


Bode: Ndryshimet fiskale, mbështetje për industrinë dhe rregullimin e tregut


Ministri i Financave, Ridvan Bode i cilëson ndryshimet në paketën fiskale, si politika atraktive për të mbështetur industritë vendase dhe për të vendosur rregulla për  funksionimin e një tregu më transparent, më konkurrues dhe për të minimizuar e goditur evazionin fiskal. Ministri Bode tha se këto ndryshime nuk synojnë rritjen e të ardhurave në buxhet. Ai theksoi se ndryshimi i taksës së makinës së përdorur bëhet për të vendosur rregullat e një tregu më funksionues. “Do të paguhet një taksë një herë në vit, shumë më e ulët nga ajo që paguhej deri më sot në doganë. Kjo taksë është sa gjysma e asaj që paguhet sot dhe kjo do të bëjë që çdo pronar automjeti të shkojë të regjistrojë makinën. 18 % e kësaj takse do të destinohet sërish për njësitë vendore”, u shpreh Bode. Sa i takon heqjes së tarifave dhe taksave doganore për lëndët e para të industrisë së fasonit dhe të veshjeve, Bode tha se ndryshimet synojnë krijimin e një biznesi jo thjesht përpunimi aktiv të fasonit, por të hapim perspektivën e instalimit të industrive dhe prodhimeve “Made in Albania” në sektorin e manifakturës. “Ne kërkojmë që eksperienca e këtyre vendeve të konkretizohet drejt linjave të prodhimit “Made in Albania”, u shpreh Bode. Kreu i Financave publike theksoi se ky propozim është bërë prej kohësh edhe nga industria e fasonit, e cila është e bindur se përmes këtyre lehtësive fiskale shumë shpejt do të jetë një ndër industritë kryesore në vend për punësimin, por edhe në drejtim të eksportit. “Bëhen zero nga 15 % që është tani tarifa e importit të lëndëve të para për industritë e veshjeve dhe këpucëve. Po ashtu ulet edhe tarifa e importit të veshjeve, pasi pas liberalizimit të vizave jetojmë në një realitet tjetër ku vendosja e barrierave doganore nuk ka sens”, sqaroi kreu i Financave, Ridvan Bode.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›