E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga delja e Myslimit, tek ajo e Dashamirit, historia si familja “Peza” e pasuron partinë me shitblerje kafshësh

22-07-2011 / Gazeta 55

Fakti/9 milionë lekë fitoi vjet Dashamir Myslim Peza nga shitja e një numri të papërcaktuar delesh. Mbetet për t’u parë sa ka ndikuar tek tregtia, largimi i Edi Ramës nga shtëpia-muze, pronë e familjes “Peza”

Hataja ka ndodhur.
Deputeti i Partisë Socialiste, shoku Dashamir Peza në deklarimin e pasurisë ka shkruar të zezën mbi të bardhë atë të sakrificës sublime të shitjes edhe të deles së fundit të tufës për përballimin e nevojave të tij familjare.
Sado që shqiptarët kanë një shprehje të përdorur rëndom nëpër dasma si “dy dele 300 pare”, duket që në rastin “Peza” është shndërruar në shprehjen 200 dele, 900 mijë lekë. Shembullin e kryetarit të partisë së vet, i cili ka vetëm 2 ose 3 mijë euro në bankë, deputeti Peza e ka marrë me rezerva të zbatojë. Kjo sepse ai kishte arsye të forta pasi mbarështimi i deles këtë vit kishte qenë i suksesshëm.
Shiu ka njomur mirë arat si dhe mbarështimi ka qenë i suksesshëm.
Deputeti Peza siç shihet i ishte kthyer traditës së vjetër familjare, dashurisë për delen, bagëtinë aq të dashur dikur në kohën kur Babë Myslimi endej kodrave e maleve të Tiranës, i kërkuar nga forcat e rendit për vrasje. Asokohe delja ishte ushqim i mirë. Ajo i merrej me forcë fshatarëve të zonave për ekzistencën e Myslimit në zonat përreth Tiranës.
Gjatë luftës, delja si bagëti e kërkuar ra shpesh herë në pakësim si pasojë e ushqimit për komunistët. Pas lufte partia ia mori për herë të fundit delet fshatarëve të zonës dhe duhej të vinte vetëm viti 1991, kur delja mund të rritej e të mbarështohej me ose pa vesh të shpuar.
Deputeti Peza jeton në shtëpinë e mbledhjes së Pezës. Aty së paku deri vonë ka fjetur edhe kryetari i partisë. Thonë që kryetari tani është qiraxhi dhe banon në një pallat afër Lanës.
Arsyeja e shitjes së kaq shumë deleve për të sjellë një shumë prej 900 mijë lekësh, nuk është fort e qartë, por ajo rastis me ikjen e kryetarit nga Peza.
Përveç deleve, deputeti Peza paska pasur edhe disa mëshqerra. Edhe këto i paskan dhënë shumën që ka deklaruar në formularin e pasurisë së tij. Interesante është se me rrogën e vet dhe të bashkëshortes së vet, me gjithë ato kredi që paguan në muaj, deputeti Peza paska mundësi të mbajë një ekonomi ndihmëse të tipit të tufëzave dhe arëzave të kohës së Ramizit e të nxjerrë prej tyre përfitime.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›