Regjistrimi fetar e etnik, KE jep fondet
Erald Kapri
Komisioni Europian jep fondet për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, projekt ku përfshihet edhe regjistrimi i përkatësisë fetare e etnike, tepër të kontestuara nga shoqëria civile. Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Hehmut Lohan, kërkoi dje nga autoritetet shqiptare që projekti të prodhojë statistika të sakta. Sipas tij, këto statistika janë një detyrim për vendin. "Rëndësia e statistikave për politika të informuara dhe zbatimin e objektivave të këtyre politikave është intuitive. Meqenëse rruga e Shqipërisë drejt BE-së është gjithashtu rruga e Shqipërisë drejt instrumenteve të financimit të ofruara nga BE, është mëse e arsyeshme që të këtë kujdesin më të lartë për sigurimin e statistikave me cilësi të lartë", tha Lohan. Më tej, ai tha se në mënyrë që Regjistrimi i ardhshëm i Popullsisë dhe Banesave, si edhe Regjistrimet Ekonomike dhe Bujqësore të jenë vërtet të dobishme për politikat e Shqipërisë, duhet saktësi, besueshmëri, krahasueshmëri dhe përgatitje në kohë dhe mbrojtje të të dhënave. Ambasadori vuri theksin edhe në ruajtjen e të dhënave personale. "Regjistrimi i popullsisë është një proces shumë i rëndësishëm për vendin, por duhet të bëhet kujdes në ruajtjen e privatësisë që është shumë themelore në këtë proces. është e rëndësishme ruajtja e privatësisë së personave që do të plotësojnë pyetësorin e të dhënave personale", tha Lohan. Në total, Komisioni Europian do të japë një shumë prej 11.5 milionë eurosh, para që do të përdoren në fushën e ndërtimit të statistikave. "Aktualisht, BE-ja po financon tre projekte në Shqipëri, që së bashku arrijnë vlerën 11.5 milionë euro, për përmirësimin e saktësisë dhe besueshmërisë së statistikave të prodhuara nga Zyra Kombëtare dhe ato rajonale të statistikave, duke harmonizuar metodologjitë e përdorura nga INSTAT, për të mbledhur dhe përpunuar të dhënat. Përafrimi me standardet e BE-së për statistikat do të mundësojë krahasimin e të dhënave mes vendeve të BE-së, atyre të rajonit, dhe Shqipërisë", thuhet më tej në njoftimin për shtyp.
Gjatë aktivitetit të djeshëm, Ministri i Inovacionin dhe Teknologjisë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo tha se ka për t'u kryer edhe regjistrimi i përkatësisë fetare dhe asaj etnike. "Ne do të kemi një inventar të avancuar, me të dhëna sipas standardit të Eurostat-it dhe që përdoren rëndom në shtetet anëtare të BE-së për individët, familjet, komunitetet dhe mbi këtë bazë Qeveria, Pushteti Vendor, institucionet arsimore, biznesi, do të mund të adoptojnë politika më adeguate dhe të marrin vendime më të pjekura, pasi do të kenë informacionin e nevojshëm, tha Pollo. Ministri tha më tej se regjistrimi i ri i Popullsisë dhe Banesave 2011, vjen si nevojë e domosdoshme dhe prioritare për Qeverinë Shqiptare. Sipas tij, ky regjistrim është thelbësor, për përcaktimin e qëllimeve ekonomiko-sociale dhe planet e zhvillimit në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe për projektet e kooperimit multilateral dhe bilateral. Pollo shtoi se regjistrimi do të ketë kontributin e tij të padiskutueshëm në procesin e vazhdueshëm të demokratizimit dhe zbatimit të vetë-qeverisjes lokale. Në total ky projekt do të harxhojë 15 milionë euro. Projekti do të nisë të zbatohet në vitin 2011.
Pyetësori
Pyetësori i hartuar nga Komisioni Shtetëror i Regjistrimit të popullsisë përmban 69 pyetje, të cilat do të plotësohen nga janari i vitit të ardhshëm. Pyetjet përmbajnë detajet personale individuale, por edhe për anën ekonomike si dhe përkatësinë fetare. Të rejat e regjistrimit që do të nisë vitin e ardhshëm, në ndryshim nga regjistrimi i vitit 2001, janë pikërisht grupi etnik të cilit qytetari i përket, si dhe besimi fetar. Por në të dyja këto pyetje është një alternativë për ata qytetarë që nuk duan të përgjigjen. Pyetësori përmban edhe pyetjet nëse qytetarët kanë jetuar ndonjëherë jashtë shtetit, për më gjatë se një vit apo niveli arsimor që ata kanë.
Kontestimet
Ky projekt është kritikuar nga shumë grupe të shoqërisë civile, historianë, por edhe parti politike. Regjistrimi i popullsisë, ku përmban brenda edhe regjistrimin e përkatësisë fetare është cilësuar si e imponuar dhe e panevojshme nga shoqëria civile. Por Qeveria është mbrojtur duke thënë se e ka detyrim për procesin e integrimit. Nga ana tjetër, Qeveria ka bërë me dije se pyetjet për përkatësinë fetare dhe atë etnike nuk janë detyruese, çka do të thotë se qytetarët mund të mos u përgjigjen atyre. Por shoqëria civile mendon se në këtë pikë mund të ketë abuzime, pasi mund të dalin shifra të fryra të përkatësisë etnike apo fetare. Sipas tyre, një gjë e tillë duhej bërë në një moment tjetër.
Projekti
Projekti për regjistrimin e popullsisë dhe banesave do të nisë vitin e ardhshëm dhe do të synojë të prodhojë statistika të sakta për numrin e popullsisë që jeton në Shqipëri, por edhe të dhëna të tjera. Shqipëria ka të dhëna të fundit vetëm ato të vitit 2001, me këtë pyetësor, do të synohet edhe informacion më i gjerë. Por ky projekt nuk do të mund të përfshijë emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Qeveria vlerëson se që prej regjistrimit të vitit 2001, kushtet politike, ekonomike dhe sociale në vend kanë ndryshuar. Lëvizja e vazhdueshme migratore e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane, por edhe në drejtim të vendeve të tjera ka sjellë lëvizje demografike.