E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti KE-së: Ndërgjegjësimi për diskriminimin mbetet në nivele të ulëta



Në Shqipëri mbetet i ngadaltë progresi drejt miratimit të një legjislacioni të plotë kundër diskriminimit, përfshirë fusha si strehimi, kujdesi shëndetësor dhe aksesi në shërbimet publike. Komisioni Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) publikoi dje raportin e ri mbi Shqipërinë, i cili merr në shqyrtim racizmin, ksenofobinë, antisemitizmin dhe intolerancën në vend. Kryetari i këtij komisioni, Nils Muiznieks, është shprehur se ndërsa ka pasur përmirësime në disa fusha, të tjera çështje vazhdojnë të mbeten shqetësuese. Ai tha se nuk ka një strukturë në Shqipëri që ka shprehur përgjegjësinë për të luftuar diskriminimin racial. Përveç kësaj, mbetet për t’u ngritur një sistem koherent për mbledhjen e të dhënave mbi situatën e grupeve minoritare. Në raportin e KE-së vlerësohet se Kodi Penal i Shqipërisë tashmë parashikon që krimi i motivuar nga racizmi është një rrethanë rënduese dhe ndalon deklaratat raciste apo ksenofobe në internet. Anëtarët e Gjyqësorit apo zyrtarët e Policisë, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për migrimin dhe kufirin, marrin trajnime të rregullta mbi të drejtat e njeriut. Avokati i popullit dhe zyra e tij kanë konsoliduar rolin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kanë marrë masa, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të ndërmarrin një qasje më sistematike ndaj rasteve të mundshme të diskriminimit racial.
Diskriminimi
Raporti i KE-së bën të ditur se ndërgjegjësimi mbi diskriminimin mbetet në tërësi në nivel të ulët. “Shumë veta mendojnë që ky fenomen nuk ekziston në Shqipëri, sepse ligji e parashikon që të gjithë qytetarët janë të barabartë”, - thuhet në raport. Bëhet e ditur se romët dhe egjiptianët vazhdojnë të përballen me vështirësi serioze sociale dhe ekonomike, me nivele më të larta papunësie në krahasim me pjesën tjetër të popullatës dhe kushte jetese jashtëzakonisht të pasigurta. Gjithashtu, ka një raport të lartë të zhdrejtë në lidhje me braktisjen e shkollës në këto komunitete, i cili e rrit cenueshmërinë e tyre nga trafikimi. Ndërkaq, vazhdojnë të raportohen dëbime të familjeve rome nga shtëpitë e tyre, pa iu dhënë një strehim adekuat alternativ. “Përveç kësaj, indiferenca e disa politikanëve ndaj këtyre çështjeve, veçanërisht në nivel lokal, përkeqëson margjinalizimin e këtyre komuniteteve dhe pengon zgjidhjen e problemeve të tyre të përditshme”, - thuhet në raportin e KE-së. Sipas KE-së, megjithëse Komiteti Shtetëror për Minoritetet ka përftuar eksperiencë, ai prapë kritikohet për mungesën e efektivitetit dhe për faktin që në të nuk përfaqësohen të gjitha grupet minoritare.
Rekomandimet
ECRI, në raportin e tij bën një numër rekomandimesh, midis të cilave 3 rekomandimet e mëposhtme do të merren në konsideratë në dy vitet e ardhshme: prezantimi i legjislacionit të plotë civil dhe administrativ kundër diskriminimit të drejtpërdrejtë dhe indirekt; vendosja e objektivave të qarta dhe vlerësimi i progresit të bërë në sigurimin e aksesit të përshtatshëm në strehim; sigurimi i mbështetjes me gjuhën shqipe të fëmijëve romë përpara hyrjes së tyre në shkollën fillore. ECRI është një strukturë e pavarur për të drejtat e njeriut pranë Këshillit të Europës, e cila monitoron problemet që lidhen me racizmin dhe intolerancën, përgatit raporte dhe lëshon rekomandime ndaj vendeve anëtare.

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›