E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i partive, 60 ditë para datës së zgjedhjeve



Procedurat e regjistrimit të subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e 28 qershorit do të nisin në datën 28 prill. Një gjë e tillë është sanksionuar në Kodin Zgjedhor, ku thuhet se çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Ndërkohë, dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas Nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Regjistrimi i partive politike dy muaj përpara datës së zgjedhjeve bëhet gjithashtu për të përcaktuar përmbajtjen e fletës së votimit, e cila do të zyrtarizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Modeli i fletës së votimit, i paraqitur për miratim, parashikon se gjatësia e fletës së votimit do të jetë fikse pavarësisht numrit të subjekteve (parti politike dhe koalicione) që do të marrin pjesë në zgjedhje në 12 zonat zgjedhore. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ:
vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët, emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë. Gjithashtu, subjekti duhet të dorëzojë në KQZ specimenin e vulës së partisë, emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë si dhe emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në. Ndërkohë, Neni 67 i Kodit Zgjedhor përcakton se partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve, ndërkohë që i njëjti afat është përcaktuar edhe për partitë që do të kandidojnë në koalicione për dorëzimin e kësaj liste.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›