E Diel, 1 Nëntor 2026

Fletët e votimit, si do të shmanget ngatërrimi i zgjedhësve me germat nistore të partive

Kodi Zgjedhor dhe KQZ-ja shtrëngojnë masat për të evituar eksperiencën e hidhur të vitit 2001. Subjekteve politike do t’u bashkëngjiten stema, germat nistore si dhe emri i kryetarit

Shaban Sulçe

Duke shfrytëzuar përmbajtjen e Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë masa shtrënguese për të parandaluar rastet e ngatërrimit të zgjedhësve me shkronjat nistore të partive politike në zgjedhje. Për këtë arsye, KQZ-ja pritet të miratojë fletën e re të votimit, e cila me përmbajtjen e saj pothuajse zhduk të gjitha keqkuptimet apo ngatërrimet që mund t’u lindin zgjedhësve gjatë procesit të votimit. Një gjë e tillë bëhet për të shmangur eksperiencën e hidhur të zgjedhjeve të vitit 2001, ku disa parti politike u dëmtuan, pasi votuesit e tyre hodhën gabimisht votat për parti të tjera politike, të cilat kishin ngjashmëri përsa u përket shkronjave nistore. Kështu, në zgjedhjet e 28 qershorit, KQZ-ja, e bazuar në atë që është sanksionuar në Kodin Zgjedhor, do të miratojë një fletë të re votimi, e cila duhet të përmbajë emrat e partive politike përbri të cilave vendoset sigla, shkronja nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Pikërisht një detajim i tillë duket se do të jetë garanti i shmangies së keqkuptimeve të zgjedhësve dhe i evitimit të rasteve, ku parti të caktuara përfitojnë vota vetëm për shkak të ngjashmërive të germave nistore me parti më të mëdha se to.

Fleta e votimit
Siç dihet, në zgjedhjet e 28 qershorit do të votohet vetëm me një fletë votimi. Vota që do t’i jepet një partie do t’i llogaritet koalicionit brenda së cilës ajo kandidon, ndërkohë që kjo votë do t’i njihet partisë në garën brenda koalicionit për shpërndarjen e mandateve të fituara. Fleta e votimit do të përmbajë të renditura sipas alfabetit koalicionet që do të konkurrojnë. Partitë pjesëtare në një koalicion zgjedhor renditen sipas rendit alfabetik njëra pas tjetrës, në pjesën e fletës së votimit që i përket koalicionit zgjedhor. Për secilën nga partitë politike të koalicionit shënohen emri i partisë, sigla, shkronjat nistore
dhe emri i kryetarit të partisë. Fletët e votimit për zgjedhjet do të përgatiten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, ato do të jenë prej letre me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Gjithashtu fleta e votimit duhet të përmbajë elemente sigurie, për të mos lejuar falsifikimin e tyre. Fletët e votimit prodhohen në blloqe me kundërfletë dhe numri i serisë shënohet vetëm në kundërfletë.

Rastet
Rasti më i bujshëm i ngatërrimit të zgjedhësve gjatë procesit të votimit me shkronjat nistore të partive ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2001. Në atë kohë, nga gjiri i Partisë Demokratike, ish-anëtarë dhe ish-drejtues të saj u shkëputën dhe themeluan një parti të re, e cila u quajt Partia Demokrate e Re. Në zgjedhjet e vitit 2001, Partia Demokrate e Re u regjistrua në procesin zgjedhor dhe në fletët e votimit me shkronjat nistore, PDR, të cilat ishin shumë të ngjashme me shkronjat nistore të Partisë Demokratike. Në ato zgjedhje, PDR-ja mori një numër të konsiderueshëm votash dhe vendesh në parlament. Por një rezultat i tillë solli acarimin e Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Sali Berisha. Partia Demokratike ka akuzuar Partinë e Pollos se votat e marra në zgjedhjet e vitit 2001 nuk ishin meritë e PDR-së, por vetëm meritë e siglës së ngjashme me PD-në në fletët e votimit. Madje, çështja shkoi deri në gjykatë, ku PDR-ja u akuzua se kishte shkelur ligjin, ndërkohë që rrezikoi çregjistrimin në zgjedhjet lokale të vitit 2002.

Zgjedhjet lokale 2007 dhe rasti “Akile Rama”

Një tjetër precedent që synonte ngatërrimin në procesin e votimit të zgjedhësve ishte regjistrimi si kandidat për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet lokale të vitit 2007, të 73-vjeçarit Akile Rama. Ky i fundit, i cili tashmë ka ndërruar jetë, ishte regjistruar pa dijeninë e tij si kandidat i Partisë Balli Kombëtar Demokrat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Një fakt i tillë u trajtua bujshëm nga opozita, e cila akuzoi Partinë Demokratike dhe maxhorancën se kishte regjistruar 73-vjeçarin Rama si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës për të ngatërruar zgjedhësit. Kjo pasi ai mbante të njëjtin mbiemër me kandidaturën e PS-së për Bashkinë e Tiranës, kreun aktual Edi Rama. Polemikat arritën deri në hapjen e një çështjeje penale, pasi krerët e PBDK-së u akuzuan se kishin falsifikuar firmën e Akile Ramës për t’u regjistruar si kandidat për kryetar bashkie. Por çështja u pushua dhe të akuzuarit u shpallën të pafajshëm pas publikimit të deklaratës noteriale të të ndjerit Akile Rama, i cili shpallte tërheqjen nga kandidimi në datën 29 janar të vitit 2007, të firmosur pikërisht 10 ditë përpara se të ndahej nga jeta.

Neni 66 i Kodit, si do të bëhet identifikimi i subjekteve zgjedhore

Në Kodin Zgjedhor, nenin 66 i tij përcakton sërish shmangien e keqkuptimeve që mund tu lindin zgjedhësve gjatë procesit të votimit. Sipas këtij neni “nëse dy parti politike ose koalicione kanë emër ose emblemë të njëjtë apo të ngjashme në atë masë saqë mund të shkaktojë konfuzion ose lajthitje të votuesve, atëherë KQZ-ja vendos cila parti ose cili koalicion ka të drejtë të përdorë emrin ose emblemën përkatëse për qëllime zgjedhore, duke marrë në konsideratë datën e themelimit ligjor të partive ose datën e regjistrimit të parë të koalicionit në KQZ. Për të përcaktuar datën e parë të regjistrimit të koalicioneve, KQZ-ja i referohet edhe zgjedhjeve të mëparshme”.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›