E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, Kuvendi “pro” procedurës së përshpejtuar

29/06/2011  Mazhoranca miratoi dje projektvendimin e qeverisë. Opozita vijon bojkotin

Kuvendi miratoi dje propozimin e qeverisë për ligjin mbi procedurat që duhen ndjekur për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave. Nuk bëhet fjalë për projektligjin për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, i cili mendohet të shkojë në Parlament në vjeshtë. Bëhet fjalë për një projektligj, i cili parashikon regjistrimin e të dhënave për efekte statistikore e do të kryhet nga Instituti i Statistikave. Kështu, me vetëm 71 votat e mazhorancës, dhe pa praninë e opozitës, votoi kërkesën e Këshillit të Ministrave për të kaluar me procedurë të përshpejtuar diskutimin e projektligjit për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave në komisionet parlamentare. Diskutimi i projektligjit pritet të nisë sot në komisionet parlamentare dhe më pas drafti do të rikthehet në seancën e ardhshme plenare për t’u miratuar nen për nen e në tërësi.

Projektligji

Projektligji në fjalë parashikon një amendim të ligjit nr. 8669, datë 26.10.2000 “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, të ndryshuar”. Ky amendim i qeverisë zgjidh nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit ligjor, në mënyrë që të krijohet një bazë e konsoliduar dhe e plotë ligjore për procesin e censusit të popullsisë dhe të banesave. Kjo bazë ligjore ndihmon në përcaktimin e një procedure edhe më transparente për censusin, mekanizma institucionalë me kompetenca e detyra të ndara qartë, duke përmirësuar ndjeshëm marrëdhënien midis tyre, me qëllim kryesor zbatimin me efeciencë të dispozitave të ligjit. Ligji që po amendohet tashmë nga komisionet parlamentare, është hartuar duke përdorur terminologji, koncepte, procedura dhe teknika legjislative, të cilat nuk janë më të mëparshme dhe nuk reflektojnë konceptet e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave statistikore. Dhe hapi i parë në hartimin e tij është përshtatja e terminologjisë, duke propozuar zëvendësimin e termit “regjistrim” me fjalën “census”, siç reflektohet edhe në projektligjin e propozuar nga qeveria, në mënyrë që t’i jepet procesit një identitet i unifikuar. Një element i rëndësishëm që propozohet është shfuqizimi i pikës 3, të nenit 1, të ligjit nr. 8669, datë 26.10.2000. Nëpërmjet këtij ndryshimi synohet të theksohet fakti se të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për hartimin e listave zgjedhore, si dhe për pasurimin e regjistrave të gjendjes civile. Projektligji në nenin 9 të tij garanton ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të grumbulluara të censusit. Ligji ngarkon INSTAT-in për të marrë masa teknike dhe organizative për ruajtjen e informacionit, saktësinë dhe qëndrueshmërinë e të dhënave, si dhe bërjen e të dhënave anonime, nëpërmjet fshirjes së elementeve identifikues të individëve në dosjet elektronike. Përdorimi i të dhënave për qëllime statistikore bëhet me autorizim, në përputhje me standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare për censusin. Publikimi i rezultateve të censusit duhet të përjashtojë identifikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të një individi.

Deklarata e ministrit Pollo pas seancës së djeshme plenare

“Të gjitha spekulimet mbi këtë projektligj janë të pavërteta”

Pas përfundimit të seancës parlamentare, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, nismëtar për të kaluar projektligjin me procedurë të përshpejtuar në Parlament, shpjegoi se nuk bëhet fjalë për projektligjin për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Sipas tij bëhet fjalë për një projektligj, i cili parashikon regjistrimin e të dhënave për efekte statistikore e do të kryhen nga Instituti i Statistikave. “Projektligji, që u përfshi sot në kalendarin e Kuvendit, është një përmirësim i ligjit të vitit 2000 për censusin. Sipas ligjit të vitit 2000, kushtëzohet që të dhënat e censusit, pra të dhënat që vilen me anketim, të hidhen në Regjistrin Civil dhe të marrin forcë ligjore. Sot kjo gjë jo vetëm është e tejkaluar, por është edhe e dëmshme nëse do të zbatohet. 11 vjet më parë ne nuk kishim as Regjistër Kombëtar Civil të kompjuterizuar dhe as lista zgjedhore të nxjerra prej tij, që do të ishin të besueshme e të pakontestuara”, u shpreh Pollo. Nga ana tjetër, ministri theksoi se “sot ia kemi arritur të kemi një Regjistër Kombëtar Civil ndër më të mirët në rajon dhe Evropë, si dhe lista zgjedhore të besueshme. Pra, lidhja census-Regjistër abrogohet me projektligjin e sotëm”. Ndërsa sa i përket brendisë së këtij projektligji të propozuar nga Këshilli i Ministrave, ministri i Inovacionit shpjegoi duke thënë se “të dhënat e vjela nga censusi do të kenë vetëm kuptim statistikor dhe nuk mund të lidhen me identitetin e personit apo të banesës. Projektligji parashikon edhe një gjobë prej 1 milion lekë për këdo që shkel normat ligjore apo për cilindo që bën deklaratë të rreme në procesin e censusit. Spekulimet që kanë bërë personazhe të ndryshme, me natyrën dhe përmbajtjen e këtij projektligji, janë thjesht të pavërteta”. Ndërsa deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, tha se formulari i regjistrimit nuk duhet të përmbajë vetëdeklarimet për fenë dhe kombësinë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›