E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit rrogat dhe pensionet, por jo borxhin

Pas rishikimit të buxhetit për pjesën e dytë të vitit, Berisha tha se do të bëhet realitet rritja e rrogave dhe pensioneve.

“Ne vazhdojmë rritjen me përparësi të pensioneve të ulëta, rrogave të ulëta por edhe atyre mesatare në rastin e rrogave, si kundër do të bëhet indeksimi i rrogave të larta. Pra ky është një lajm shumë i veçantë, sepse ky vendim merret në një kohë kur jo rritja por ulja e madhe e rrogave është rregulli i kësaj kohe për shkak të krizës financiare. Modeli ekonomik i Shqipërisë përballoi me sukses pasojat e krizës. Modeli i saj shmangu recesionin. Nuk ka dyshim se kriza botërore është ndjerë në ekonominë tonë, por nuk ka arritur të kthehen në recension. Kjo ekonomi është e vendosur mbi parime të shëndetshme”, theksoi Berisha.

Kryeministri shtoi se qeveria shpenzon në vit rreth 6% të Prodhimit të Brendshëm, duke shtuar se ekonomia e vendit po rritet për shkak të lehtësirave të mëdha fiskale dhe burokratike. Ai shtoi se investimet e huaja kanë njohur rritje shumë të mëdha, “ndoshta me 10 herë krahasuar me periudhën para 2005-n. Rritje të madhe ka pësuar turizmi. Vendi ka infrastrukturë tjetër. Kjo falë zhvillimit ekonomik, e cila nuk është flluskë në asnjë sektorë të saj”.

Berisha iu përgjigj edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili kërkoi pak ditë më parë mos rritjen e rrogave, ku kreu i qeverisë shqiptare tha se FMN-ja e ka theksuar me të madhe suksesin e Shqipërisë. “Dua të informoj qytetarët se në treguesit e kuadrit makroekonomik, siç është borxhi dhe deficit buxhetor, luajaliteti i qeverisë është absolut. Ne nuk rrisim borxhin, por do të bëjmë një rishqyrtim të buxhetit. Kemi një marrëveshje me FMN-në që është mos rritja e borxhit. Mediat mos të bien viktimë e keqinformimit të disa grupeve të caktuara. Ne nuk po shkelim premtimin. Ne nuk kemi marrëveshje për rritjen e taksave”, shtoi Berisha. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-29 11:40
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›