E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Me kursin e ri politik, Rama po gabon

Kryetari i PSD-së kundër bashkëpunimit me PD-në: “Cila është zgjidhja reale dhe jo zgjidhja e rreme. PS-ja në vend të thotë këtë të vërtetë, po bën një veprim të gabuar, duke krijuar idenë që me kthimin në Parlament, apo me një rihapje të dialogut për gjoja reforma, Shqipëria do të dalë nga kjo krizë totale në të cilën ndodhet”.

TIRANË Me kursin e ri politik të shprehur publikisht nga kryetari i PS-së, Edi Rama, kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, ndihet shumë më i larguar politikisht nga partia më e madhe në opozitë. Gjinushi nuk është dakord që PS-ja të marrë pjesë në Kuvend, të mos bëjë protesta apo të ndjekë një politikë ndryshe nga ajo e deritanishmja. Sipas kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi, PS-ja po bëhet palë me qeverinë dhe po merr me vete përgjegjësitë e kësaj të fundit për kolapsin që ka mbërthyer vendin.

“Qëndrimet tona tani ndryshojnë, sepse PS-ja, sa më e rëndë, aq më e urtë bëhet ajo dhe çuditërisht krizat dhe mëkatet i bën PD-ja, përgjegjësitë, në thonjëza, kërkon t’i mbajë PS-ja. PS-ja dhe opozita kanë një detyrim sot. Të thonë kush është shkaktari për gjendjen në cilën ndodhet Shqipëria. Cila është zgjidhja reale dhe jo zgjidhja e rreme. PS-ja në vend të thotë këtë të vërtetë, po bën një veprim të gabuar, duke krijuar idenë që me kthimin në Parlament, apo me një rihapje të dialogut për gjoja reforma, Shqipëria do të dalë nga kjo krizë totale në të cilën ndodhet”, - tha Gjinushi. Përballë konsumimit të rrugëve të ndërmarra deri më tani nga opozita si bojkot parlamentar apo protesta, Gjinushi shprehet se nuk duhet gjetur rruga e bashkëpunimit me kryeministrin Berisha. “Kjo nuk do të thotë që pas kësaj të ulësh kurrizin, të thuash: ‘Meqë e provova me bojkot, meqë e provova me protesta, tani të bëjmë reforma me antireforma’. Kjo nuk justifikon që t’u thuash shqiptarëve në mënyrë të rreme, pra të bëhesh palë me Saliun, që ka ende mundësi për reforma, kur je i sigurt që nuk ka reforma me këtë qeveri. Të gjithë ata që hedhin tezën të rregullojnë Kodin, të largojnë të keqpërdorurit vetëm, pa larguar ustain, por duke larguar vetëm çirakët, patjetër që këto teza shkojnë vetëm në favor të Sali Berishës, për të zgjatur jetën e tij, sepse ai është shkaktari kryesor, urdhëruesi dhe përfituesi kryesor”, -tha Gjinushi. Kryetari i socialdemokratëve shtoi se opozita ka detyrimin të udhëheqë shqiptarët drejt çlirimit nga një qeveri, “e mbërthyer nga korrupsioni, që vjedh votat dhe pasurinë e shqiptarëve, ku demokracia dhe institucionet kanë rënë”. Pak kohë më parë, pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 8 Majit, në një interviste për “TCH”, për herë të parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, foli për një kurs të ri politik. “Jam i gjithi i fokusuar me mish e shpirt për të ndërtuar në mënyrë sa më efektive kursin tonë të ri politik, që do na çojë në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme dhe do bëjë të mundur rrëzimin me votë të këtij fashizmi dhe vendosjen e Shqipërisë në binarët e Europës”, - u shpreh Rama, duke qartësuar se ajo do të ishte krejt e ndryshme nga politika e ndërmarrë deri më tash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›