E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, ja fazat që do të ndiqen

Nëse asnjë prej anëtarëve të censusit nuk do të jenë të pranishëm në banesë në kohën e vizitës, anketuesit do të lënë njoftim informues për datën dhe kohën e vizitës së ardhshme, duke lënë numrin e telefonit në mënyrë që ta kontaktojnë.

TIRANË- Procesi i regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare do të përfshijë një hapësirë kohore prej 20 ditësh. Deri në këtë fazë, INSTAT do të përzgjedhë 12 mijë anketues, trajnimi i të cilëve përfundon në muajin shtator. Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, ka shpjeguar dje përmes një interviste televizive se do të ndiqet metodologjia tradicionale për mbledhjen e të dhënave, pikërisht ajo e intervistimit derë më derë. Në deklarimin e saj, Drejtoresha e INSTAT ka theksuar se nëse asnjë prej anëtarëve të censusit nuk do të jenë të pranishëm në banesë në kohën e vizitës, anketuesit do të lënë njoftim informues për datën dhe kohën e vizitës së ardhshme, duke lënë numrin e telefonit në mënyrë që ta kontaktojnë. Në të kundërt, personat do të mbeten jashtë regjistrimit. Refuzimi i plotësimit të formularit të regjistrimit të popullsisë dhe

banesave në vend, do të ketë sanksione me gjobë dhe përballje me gjykatën. Ndërkohë,

jashtë saj do të mbeten personat që nuk kanë jetuar në Shqipëri 12 muajt e fundit. Sipas drejtoreshës Nurja, do të jenë 40 pyetje të shtjelluara që kërkojnë të dhëna mbi demografinë, arsimin, shëndetësinë etj. Përkatësia etnike dhe besimi fetar aq të debatuara mediatikisht në muajt e fundit janë dy pyetjet përmbyllëse të formularit, të cilat janë specifikuar si deklarim i lirë dhe jo i detyrueshëm. Termi “kombësi” është zëvendësuar me termin “grupim etno-kulturor”. Ajo që bie në sy në draftin prej 32 faqesh, ku shqiptarëve do u duhet pak kohë për ta plotësuar, është mënyra sesi janë formuluar pyetjet. Pyetja e parë lidhet me llojin e banesës, nëse shqiptarët jetojnë në pallat, shtëpi private apo baraka dhe kasolle. Në pyetjen e 4-t shqiptarët do të japin informacion edhe mbi llojin e tualetit që kanë në përdorim, apo për llojin e automjetit që disponojnë. Nga rezultati i përgjigjeve do të dalin edhe statistikat e plota mbi mënyrën e jetesës, për të kuptuar se sa të pasur apo të varfër janë shqiptarët. Në këtë formular përfshihen të dhëna edhe për emigrantët, pasi familjarët do të specifikojnë emrat dhe vendndodhjen jashtë Shqipërisë të të afërmve të tyre.

Kwrkesa e minoritarwve

Shoqata e minoriteteve i kërkon faktorit ndërkombëtar në Tiranë të ndërhyjë për procesin e regjistrimit, duke e cilësuar atë si antiligjor dhe jo të përshtatshëm. Të udhëhequr nga organizata e minoritetit grek “OMONIA”, këto organizata kërkojnë shtyrjen me të paktën 6 muaj të procesit të regjistrimit dhe të mos mbahet në muajin tetor, me argumentimin se disa kushte në ligjin e regjistrimit janë antiligjore. Nënkryetari i OMONIA-s, Niko Brigu, në prani të përfaqësuesve të organizatave të tjera, lexoi një deklaratë për imediat, ku theksoi kushtet e kërkuara nga ana e tyre.

Pika e parë e kushteve të tyre është shtyrja me 6 muaj e procesit, ndërsa si ndërhyrje e dytë kërkohet që ligji të shikohet sërish. Sipas tyre, gjobat apo ndëshkimet e tjera mbysin vullnetin dhe vetëdeklarimin e lirë të personave që janë të një etnie tjetër. “Ky ligj u hartua nga Komisioni Qendror i Regjistrimit pa asnjë konsultim me Komitetin Shtetëror për Minoritetet dhe as organizatat përfaqësuese të minoriteteve tona. Ne, përfaqësuesit e grupit të punës të organizatave të minoriteteve, shprehim kundërshtimin kategorik në lidhje me dispozitat e miratuara, të cilat ndëshkojnë dhe mbysin vetëdeklarimin e lirë të përkatësisë etnike të shtetasve të Republikës të Shqipërisë”, deklaroi nënkryetari i OMONIA-s, Niko Brigu. Duke theksuar se censusi duhet të shtyhet me 6 muaj në mënyrë që të kryhen konsultimet e duhura, ai shtoi se amendimet e reja nga ana e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që iu bënë këtij ligji, do të shkaktojnë një proces të deformuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›