E Diel, 1 Nëntor 2026

Muslimanët kërkojnë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

SHKRUAN: Fatos Salliu 01-09-2011 12:04

Elbasan Besimtarët muslimanë në Elbasan kanë shfrytëzuar Fitër Bajramin për t’i kërkuar Komunitetit Musliman Shqiptar që të ndërhyje pranë Qeverisë për transparencë në regjistrimin e popullsisë.

Peticioni

Në fjalimet e mbajtura para ritit të faljes së Fitër Bajramit dje në sheshin kryesor të këtij qyteti, përfaqësues të muftinisë u shprehën se qeveria dhe segmente të saj duhet të jenë të kujdesshme e të mos bien në kurthin e atyre qarqeve antishqiptare që kërkojnë regjistrim të popullsisë mbi baza etnie e feje. “Qeveria apo individë të caktuar nuk duhet kurrë të bien pre e këtyre synimeve, pasi më pas nuk do t’ia falë as Zoti, as historia dhe as secili prej nesh. Ne jemi pjesë e Europës, jemi vend evropian, ndodhemi në Europë dhe nuk është e nevojshme që të bëhen gabime të tilla historike”. Burime të Muftinisë Elbasan deklaruan se janë duke hartuar një peticion me firmat e gjithë besimtarëve muslimanë në Elbasan të cilin do t’ia dërgojnë Komunitetit Musliman Shqiptar, ku do të kërkojnë pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë dhe këtë kërkesë ata e bazojnë në realizimin e një transparence sa më të madhe në këtë proces. Nëse kjo kërkesë nuk do të merret parasysh, atëherë do t’u kërkohet besimtarëve muslimanë që të mos i bashkohen këtij procesi e madje ta bojkotojnë atë.

Falja

Rreth 4 mijë besimtarë muslimanë në Elbasan kryen dje ritin e faljes së Fitër Bajramit në sheshin kryesor të këtij qyteti. Drejtues të Muftinisë Elbasan mbajtën fjalimet e rastit para besimtarëve, duke e cilësuar fenë muslimane si një fe të bukur të zgjedhur nga Allahu, një fe e mëshirës dhe e faljes, që i afron njerëzit nga e mira dhe i largon nga e keqa. Ata e kanë cilësuar muajin e Ramazanit si muajin e pastrimit dhe sakrificës dhe Fitër Bajramin një ditë të madhe faljeje. Ndërkohë, drejtues të fesë muslimane në Elbasan i kanë tërhequr vëmendjen besimtarëve që të jenë të kujdesshëm e të largohen nga veset e këqija të shoqërisë së sotme, siç janë alkooli, droga, kumari, lotot etj.

Muslimanët elbasanas kanë kërkuar një vëmendje më të madhe të qeverisë për plotësimin e premtimit të kthimit të pronave të komunitetit musliman. Në fund besimtarët muslimanë kanë uruar njëri-tjetrin dhe janë larguar për të festuar me familjet dhe më të dashurit e tyre. Më pas Muftinia organizoi pritje për pushtetarë lokalë dhe drejtues të feve të tjera në qytetin e Elbasanit. Prej kohësh në Elbasan është kthyer në traditë respektimi i besimeve fetare të ndryshme dhe ekziston një tolerancë e shkëlqyer fetare. Ndaj edhe dje besimtarët muslimanë pritën urime nga besimtarë të feve të tjera. Në këtë qytet prej disa vitesh ekziston edhe qendra ndërfetare me përfaqësues nga të gjitha fetë që ekzistojnë në qytet dhe që ka për mision përçimin e vlerave të tolerancës dhe mirëkuptimit ndër besimtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›