E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, dhurata për fëmijët dhe të moshuarit

Me rastin e Fitër Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shpërndau dhurata dhe ndihma ushqimore për fëmijët e fshatit “SOS” në Tiranë, si dhe për të moshuarit e qendrës komunitare “Të vazhdojmë së bashku”, në Kombinat. “Sot është dita ku e gjithë shoqëria duhet të tregojë vëmendje, mbështetje dhe solidaritet”, - u shpreh Basha, duke u uruar fëmijëve dhe të moshuarve festën e Bajramit. Më herët, kryetari i bashkisë uroi të gjithë besimtarët muslimanë, gjatë vizitës që bëri pranë Komunitetit Musliman në Tiranë. Gjithashtu, Basha në ditën e Bajramit uroi edhe besimtarët bektashinj, duke vizituar selinë e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në mesazhin e tij të urimit drejtuar kryetarit vlerësoi kontributin e muslimanëve në shoqërinë shqiptare dhe mes të tjerash premtoi se do të bëjë të pamundurën për të shpërblyer besimin e këtyre të fundit për ngritjen e xhamisë së re të Tiranës. Në darkën para mbërritjes së ditës së Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka shtruar Iftar me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit dhe në prag të festës së Fitër Bajramit. Kreu i Bashkisë ka premtuar se do t’i përkushtohet përgatitjes së projektit dhe nisjes së punës për ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytet, që do të realizohet në bashkëpunim, midis Bashkisë së Tiranës dhe Komunitetit Musliman të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›