Masakra e Cërrikut, mungesa e avokatëve rebelon dëshmitarët
Mungesa e avokatëve, e cila ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore për masakrën e Cërrikut, ka rebeluar dëshmitarët e thirrur nga gjykata. Të thirrur për të disatën herë dhe në pamundësi për të dhënë dëshminë për shkak të mungesës së avokatëve, dëshmitarët kanë deklaruar se do t’i drejtohen Dhomës Kombëtare të Avokatisë për të tërhequr vërejtjen ndaj avokatëve mbrojtës. “Na kanë thirrur disa herë dhe nuk kemi mundur të japim dëshminë tonë. Përherë i njëjti justifikim nga gjykata, shtyhet për mungesë të avokatëve, duhet të paraqiteni sërish në këtë datë. Po kjo nuk është normale, pasi ne lëmë punët tona për t’i shërbyer këtij procesi”, - rrëfejnë të acaruar pas seance dëshmitarët, ndërkohë që rebelimin e tyre e kanë demonstruar edhe kur gjyqtari kryesues njoftoi rishtyrjen e gjyqit për shkak të mungesës së disa avokatëve. Dëshmitarët e thirrur deklarojnë se nuk do ta lënë me kaq këtë punë, pasi kanë vendosur t’u drejtohen organeve kompetente që mbulojnë këto dy institucione, Dhomës Kombëtare të Avokatisë për avokatët dhe KLD-së për gjyqtarët. Procesi gjyqësor ndodhte tashmë në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të akuzës, ndërkohë që ka kaluar një nga momentet më të rëndësishme të tij, dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Bujar Buzani, i cili zbardhi me detaje ngjarjen dhe tregoi me gisht në sallën e gjyqit autorët e saj. “Ne qëlluam atë ditë mbi policët, sepse Met Bozi na pati premtuar se do të na bënte dokumentet për Amerikë të gjithëve”, - tha dje Buzani. Më tej i pandehuri ka shtuar se mbi blindin qëlloi Arian Toska, ndërsa djemtë e tjerë kishin pozicione nëpër tarracat e pallateve. Sipas dëshmisë së djeshme të Buzanit, të vetmit që nuk ka parë atë ditë kanë qenë Alban Toska dhe Entel Gashi. Të tjerët, që janë sot pas hekurave, duket se kanë qenë pjesë e atij skenari të organizuar nga Met Bozi. Të pandehurit akuzohen për ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, ku humbën jetën gjashtë gardistë, Sali Martini, Besnik Syla, Halit Haxhia, Qemal Mehmeti, Bashkim Mella. Të pandehurit e këtij procesi: Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Xhepaxhiu, Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi po gjykohen për akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese më shumë se një herë” dhe “vrasjes në rrethana cilësuese më shumë se një herë, të mbetur në tentativë”.