Regjistrimi i serbëve në veri në vjeshtë?
Regjistrimi i serbëve në veri të Kosovës mund të realizohet në vjeshtë të këtij viti, vetëm pasi për këtë të ketë dhënë pëlqimin Beogradi zyrtar.
Sipas Radio Kosovës ky është njëri prej opsioneve që kanë kërkuar nga autoritetet serbe zyrtarët e agjencisë që ka marrë përsipër regjistrimin në Veri, UNOPS.
Vjeshta e këtij viti është njëri prej afateve që është vënë si opsion për mundësinë e regjistrimit të serbëve në veri të Kosovës.
Pas dështimit që t’i bindin serbët për t’iu përgjigjur regjistrimit të popullsisë, organizuar muajin kaluar, tani autoritetet ndërkombëtare në biseda me zyrtarët në Beograd, kanë kërkuar që kjo të mundësohet të paktën në vjeshtën e këtij viti. Në vjeshtë gjithashtu, Serbia do të realizojë procesin e regjistrimit të popullsisë, i planifikuar për muajin tetor.
Ndërsa Rifat Blaku, kryetari i Komisionit shtetëror për Regjistrimin e popullsisë në Kosovë, ka thënë se ende nuk ka ndonjë sinjal të qartë se çfarë do të ndodhë me regjistrimin në Veri. Blaku nuk e ka përjashtuar mundësinë që çështja e regjistrimit në Veri të jetë temë në tavolinën e bisedimeve që po vazhdojnë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ashtuquajturat çështje teknike.