E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Vlorës, mbyllet protesta e pedagogëve

“Ismail Qemali” nis procesin normal mësimor. Ministri Tafaj bie dakord me kërkesat

Ka përfunduar bojkoti i pedagogëve në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, pas dy ditësh pezullimi të mësimit në këtë universitet. Sipas rektorit të këtij universiteti, Tanush Shaskaj, fundi i Bojkotit nga stafi akademik erdhi pas takimit që patën dy zëvendësrektorët e universitetit me ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj. Sipas Shaskës, kërkesat kryesore të cilat shtyn dhe stafin akademik drejt këtij vendimi për titujt akademikë, programet e reja, vendet e reja të punës dhe hapësirave universitare, u morën parasysh nga ana e ministrisë. Kjo solli dhe rinisjen e mësimit ditën e shtunë, së bashku me provimet e pezulluara tri ditë më parë deri në një afat të pacaktuar.“Ne si universitet kemi bërë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, e cila ka qenë këtu në Vlorë për dy ditë me radhë, ku dhe kërkesat tona u plotësuan kryesisht, promovimet e pedagogëve, që ishte dhe kërkesa jonë kryesore.
Kemi marrë dhe premtimin e ministrit për ambiente të reja, për programet akademike. Kemi aplikuar në mars të 2009-s, ku dhe do të shikohen me përparësi dhe ne shpresojmë të aprovohen së shpejti”, tha Tanush Shaska, rektori i Universitetit të Vlorës.
Sipas Shaskës, Universiteti i Vlorës ka kërkuar ambiente shtesë si dhe rishpërndarje të studentëve. “250 studentë në një diplomë ne na duken jo të pamotivuar, këta studentë mund të kenë më shumë diversitet dhe larmi të diplomave nga 50 dhe 60 vetë. Pra ideja e universitetit ka qenë gjithnjë që të kemi një nivel më të madhe diplomash, ku studenti të këtë mundësi zgjedhje. Projektet për një kampus kanë mbetur midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Arsimit, ku po bëhen negociatat për kalimin e pronës”, sqaroi rektori për “Shqip”. Sipas tij, qeveria është zotuar që kjo gjë do të bëhet realitet dhe rektorati ka filluar të mendojmë se çfarë do të ndodhë kur kjo pronë të merret nga universiteti.
Në Universitetin e Vlorës, mbetet problem sistemi i diplomave. “Vitin e kaluar, problemi që ngritën studentët, ka qenë vendosja në diplomë e emërtimit jurist, ne kemi dhënë gjithmonë diplomë katërvjeçare dhe po ashtu do të japim për ata që janë futur po me sistemin katërvjeçar. I vetmi problem ka qenë vendosja e titullit jurist në diplomë. Diplomat e vjetshme nuk ka qenë problemi ynë, ministria nuk na ka regjistruar diplomën katërvjeçare që ne i çuam me titullin jurist dhe në të gjitha diplomat që jepen duhet të regjistrohen në ministri”, sqaroi rektori. Pas protestave të studentëve, ministria ra dakord që të bëhej regjistrimi dhe viti i katërt vitin e kaluar ka marrë diplomë të integruar të nivelit të dytë me titullin jurist dhe po kështu do të vazhdojë. Stafi akademik dhe senati ka marrë vendim që vitin e ardhshëm akademik nuk do të ketë më regjistrime të studentëve nën mesataren 6.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›