E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi mbi etninë, Athina ndërhyn: Ju mbështesim!

Ashtu sikurse edhe pritej, Greqia ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare, për regjistrimin e popullsisë, duke e inkurajuar këtë vendim. Athina zyrtare nuk ndalet, por shkon më tej, duke ofruar mandje ndihmën e saj për këtë vendim të qeverisë sonë të disa ditëve më parë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, përveç përshëndetjeve të rastit, i ka bërë të qartë Tiranës zyrtare pretendimet e saj për minoritetin grek në Shqipëri, ku Greqia herë pas here ndërhyn në çështje të brendshme të vendit tonë. “Më e rendësishme është ajo që presim nga regjistrimi i popullsisë. Ai duhet të ketë një metodë thelbësore, pra që të reflektojë realitetin. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë për gjithçka, që regjistrimi të jetë i suksesshëm”, tha ndër të tjerash zëdhënësi Gregory Delavekouras. Ai ka bërë edhe një rezyme të regjistrimit të popullsisë në vendin tonë, sikur të ishte një zyrtar shqiptar dhe jo i një shteti tjetër. “Regjistrimi i fundit që është zhvilluar në Shqipëri ka qenë i vitit 2001. Kjo domosdoshmëri është theksuar në të gjitha dokumentet evropiane, siç është Progres-Raporti i fundit për Shqipërinë, ku theksohet nevoja për një regjistrim të ri, të cilin ne e dimë që do të zhvillohet brenda vitit 2011”, tha më tej zëdhënësi i diplomacisë helene. Vendimi për të regjistruar popullsinë shqiptare kryesisht mbi baza etnike dhe fetare, është kundërshtuar ashpër nga intelektualë dhe personalitete publike në vendin tonë. Regjistrimi i popullsisë mbi baza fetare dhe etnike është kërkuar me ngulm nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe qeveria greke, e cila tenton të ketë një ndikim më të madh në pjesën minoritare në vendin tonë. Ky regjistrim, do të bëjë që shumë shqiptarë në jug të vendin të ndryshojnë kombësinë, për shkak të pensioneve të majme që marrin nga qeveria greke.                                                                                              

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›