E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji dhe Minxolli kapen me celularë në qeli

TIRANE- Mihal Delijorgji kapet me dy celularë në qelinë e tij në burgun 313 në Tiranë, kurse administratorit të kompanisë së tij “Alba Demil”, Dritan Minxolli, i akuzuar si bashkëpunëtor në tragjedinë e Gërdecit, i është kapur gjithashtu një celular. Aparatet, që janë sende të ndaluara në vendet e vuajtjes së dënimeve, janë kapur gjatë një kontrolli të kryer nga autoritetet e burgut, bashkë me 3 celularë të tjerë. Dy prej këtyre celularëve janë gjetur në oborrin e burgut dhe dyshohet të jenë hedhur gjatë kontrollit. Në fakt, javët e fundit konfirmohet se nga kontrollet e zhvilluara në qelitë e vuajtjes së dënimit janë gjetur më shumë se 70 aparate celularësh. Autoritetet e burgjeve kanë paralajmëruar se do të fillonin procedime penale për mbajtje të sendeve të jashtëligjshme deri në tentative arratisjeje, për rastet kur janë bllokuar celularët në qeli. Ndërsa do të ndërpresin lejet dhe masa të tjera lehtësuese për personat, të cilët kapen me të tilla sende të palejuara. Të dënuarit apo të paraburgosurit që janë kapur me celularë, janë marrë në pyetje për mënyrën e sigurimit të tyre, ndërsa SHKB ka nisur hetimet për punonjës të policisë së burgjeve që dyshohet se kanë ndihmuar në futjen e celularëve në qeli. Burimet thanë se në rastin e Delijorgjit, vetë pronari i fabrikës famëkeqe të demontimit të armatimit, shpërthimi i së cilës vrau 26 persona, është shprehur se celularin e kishte marrë vetëm për të ndjekur ndeshjet e futbollit dhe rezultatet e tyre. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›