E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi, prioritetet strategjik

Nga Express më 22 mars 2011 në ora 17:28

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim komisionin qeveritar për regjistrimin e popullsisë, i cili udhëhiqet nga Rifat Blaku.

Sipas një komunikate për shtyp të Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për përgatitjet që është duke i bërë ky komision për organizimin sa më të suksesshëm të regjistrimit të popullsisë.

Në këtë rast, kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar lart përkushtimin e të gjithë anëtarëve të komisionit në fjalë dhe ka ripotencuar mbështetjen e gjithanshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për organizimin e këtij procesi, sipas standardeve të EUROSTAT-it.

“Regjistrimit i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, që ka reflektime në të gjitha prioritetet strategjike të institucioneve të Republikës së Kosovës, prandaj ju inkurajoj që të përmbyllen në mënyrë sa më efektive, transparente dhe profesionale të gjitha përgatitjet, në mënyrë që ky proces të rezultojë me sukses të plotë, duke e përmbushur kështu edhe një nga obligimet tona që del nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Nga ana e tij, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku pasi informoi në detaje kryeministrin Thaçi për punën që është duke e bërë ky komision, siguroi se me procesin e regjistrimit të popullsisë do të arrihet një rezultat i plotë, që do të pasqyrojë gjendjen reale në Republikën e Kosovës dhe do të jetë bazë shumë e rëndësishme për të bërë planifikimet e duhura në kuadër të procesit të zhvillimit dhe integrimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›