Filloi trajnimi për ndërmjetës në Republikën e Kosovës
Me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të kryetares së Komisionit për Ndërmjetësi, Fatime Ismajli dhe kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, të martën ka filluar në Gjilan trajnimi i parë për ndërmjetës.
Me këtë rast, zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se ndërmjetësimi është fushë e re, por shumë e dobishme dhe kjo është arsyeja kryesore që si Ministri e Drejtësisë do t`i japin prioritet këtij sektori.
Ai tha se do të jetë shumë aktiv për të krijuar hapësirë dhe infrastrukturë ligjore të qëndrueshme, e cila do të jetë në dobi të qytetarëve.
Po ashtu Kuçi ka falënderuar partnerët ndërkombëtar në ndihmën që janë duke e dhënë në funksionalizimin e sistemit të ndërmjetësimit.
Ndërsa kryetarja e Komisionit për Ndërmjetësim, Fatime Ismajli tha se fillimi i trajnimit të ndërmjetësve është edhe një hap përpara në funksionalizimin e ndërmjetësimit në Kosovë.
Sipas saj ky është një hap përpara në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe një hap përpara drejt një kulture të komunikimit demokratik, e të zgjidhjes së konflikteve në mënyrë alternative.
Në trajnimin e parë për ndërmjetës janë përzgjedhur 15 kandidatë nga rajoni i Gjilanit, kurse trajnues janë ekspertët nga Austria dhe pas përfundimit të trajnimit, ndërmjetësit do të certifikohen nga Komisioni për Ndërmjetësim, dhe do të licencohen nga Ministria e Drejtësisë.