E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdoje të përkrahë Kosovën

Nga Express më 22 mars 2011 në ora 18:39

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala e ka pritur të martën në një takim ambasadorin porsaemëruar të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cameron Cliff, i cili ka ritheksuar edhe një herë gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar në shumë procese Kosovën.

Pas një takimi rreth një orësh, numri dy i AAK-së bëri të ditur se për temë diskutimi me ambasadorin kanë pasur shumë çështje me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Me këtë rast Shala e ka falënderuar ambasadorin Cliff për kontributin e shtetit të tij në proceset e zhvillimit të Kosovës, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Sot patëm nderin që në Aleancë të presim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar. Ishte një takim shumë i mirë dhe i sinqertë, patëm një shkëmbim mendimesh për të gjitha çështjet që preokupojnë Kosovën sot. Natyrisht edhe një herë e pamë të arsyeshme të shprehim të gjithë respektin për punën e jashtëzakonshme që ka bërë Mbretëria e Bashkuar për Kosovën për 10 vite me radhë dhe gjithsesi jemi të bindur se kështu do të jetë edhe tash e tutje që së bashku do t’i adresojmë sprovat më të mëdha që do të ballafaqohet Kosova”, ka thënë Shala.

Ndërkaq ambasadori i porsaemëruar i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cameron Cliff theksoi se mbështetja britanike për Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje dhe se duhet të vazhdohet me përkushtimin e rritjes së demokracisë dhe dialogut me shtetet tjera, përfshirë këtu edhe Serbinë.

“Theksoj se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdoje të përkrahë Kosovën. Ne mbështesim pavarësinë dhe integritetin territorial dhe ne gjithashtu jemi të përkushtuar të shohim ndërtimin e demokracisë parlamentare në Kosovë dhe jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha forcat politike. Ne biseduam edhe për dialogun me Serbinë dhe përfitimet praktike që mund të sjell në kuptimin e eksporteve dhe tregut te Kosovës. Është me rëndësi për të ndihmuar ekonominë dhe punësimin dhe për të rikrijuar besimin mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Cliff.

Sipas ambasadorit britanik ky dialog do të ishte një proces i gjatë, por është me rëndësi në kuptimin e integrimeve evropiane të Kosovës për t’i larguar pengesat që aktualisht ekzistojnë.

Ambasadorin i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Ian Cameron Cliff gjatë ditës së sotme është takuar edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›