Krasniqi: Limaj nuk mund të arrestohet

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi i ka rikujtuar EULEX-it që t’i përmbahet parimit “askush mbi ligjin”, dhe të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. Duke komentuar të martën çështjen e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj, për të cilin EULEX-i ka lëshuar një fletarrest, Krasniqi ka thënë se vetëm pas përfundimit të shkallës së dytë mund të bëhet kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit.
Kreu i legjislativit të vendit ka thënë se me qëndrimet e tij nuk po krijon kurrfarë armiqësie me EULEX-in, por ka thënë se Kushtetuta i përcakton këto çështje dhe se ai nuk mund ta ndryshojë atë që thotë Kushtetuta dhe ligji.
“Unë mendoj se ne nuk po krijojmë armiqësi as me EULEX-in, dhe mendoj që edhe kryeministri dhe të gjitha institucionet në Kosovë janë për respektimin e Kushtetutës. Kushtetuta e përcakton shumë qartë këtë punë. Do të thotë Kushtetuta jonë mendoj se është zgjedhja më e mirë e mundshme për përkufizimin e imunitetit. Ju e dini që në Shqipëri nuk mund të fillojë asnjë procedurë penale për njerëzit që kanë imunitet. Kushtetuta jonë lejon vazhdimin dhe përfundimin e çdo procedure penale për vepra që nuk janë kryer brenda fushëveprimtarisë së deputetit. Prandaj gjykata në këtë rast mund t’i kryejë të gjitha procedurat deri në vendimin e shkallës së dytë, ose përfundimtar. Vetëm atëherë pasi gjykata do ta merr vendimin përfundimtar, mund të bëhet kërkesa për heqjen e imunitetit, deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka rikujtuar me këtë rast nenin 75 të Kushtetutës, e cila përcakton qartë se kur nuk mund të arrestohet e as ndalohet deputeti i Kuvendit të Kosovës.
“Neni 75, paragrafi i dytë e thotë qartë: ‘Deputeti i Kuvendit të Kosovës, as nuk mund të arrestohet, as nuk mund të ndalohet’. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë dhe me ligj, prandaj ne kërkojmë që gjithë ata që e thonë me plotë gojën ‘askush mbi ligjin’ atëherë le të mbetet askush mbi ligjin dhe ligji i ka përcaktuar shumë qartë këto çështje”, ka thënë kreu i legjislativit të vendit.
Ndërkohë, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar për arrestimet që janë bërë së fundi dhe për fletë-arrestin për deputetin Fatmir Limaj.
Nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini ka përshëndetur gatishmërinë e Fatmir Limaj për t’u përballur me drejtësinë, mirëpo ai thekson se politika dhe sundimi i ligjit duhet të ketë në këtë rast prioritet krimin e organizuar dhe korrupsionit, të cilat aktualisht kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të Kosovës.
“Çka dua të them me këtë është se për popullin e Kosovës, për mirëqenien e tyre, prioritet duhet të jetë krimi sot, krimi i organizuar dhe korrupsioni sot. Kjo në asnjë rast nuk do të thotë se nuk duhet të hetohen krimet kurdo që ato të kenë ndodhur, mirëpo po them se mendojmë se njerëzit që ia duan të mirën këtij vendi, duhet të mendojnë se prioritet për Kosovën janë krimet që po bëhen sot në Kosovë dhe krimet që po ia shkatërrojnë jetën qytetarit të Kosovë”, ka thënë Gjini.
Ndaj deputetit Fatmir Limaj është lëshuar fletë-arrest, përderisa tetë ish pjesëtarë të UÇK-së janë arrestuar nga Policia e EULEX-it, mes tyre edhe drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Prizren, Nexhmedin Krasniqi, nën dyshimin për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Limaj është marrë në pyetje ditë më parë, mirëpo është liruar për shkak të imunitetit si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai ka shprehur gatishmërinë që ta dorëzojë imunitetin dhe t’i hap rrugë drejtësisë ta kryejë punën e saj. /kosovapress/