Shala: S'do të lejojmë që të nëpërkëmbet lufta e UÇK-së

Ish-ushtarët e Brigadës 121 – Komandant Kumanova të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë vlerësuar të padrejtë, denigrues dhe të nxitur nga Serbia lëshimin e fletarrestimit ndaj komandantit të parë të kësaj brigade, Fatmir Limaj, dhe arrestimin e 8 ish-ushtarëve të UÇK-së, të kryer më 16 mars të këtij viti nga policia e EULEX-it.
Ish-komandanti i Brigadës 121, Haxhi Shala të martën përmes një konference për media ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve dhe shfuqizimin e fletarrestit ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të shokëve tanë si të dyshuar për krime lufte dhe mbrojtjen e tyre të dinjitetshme në liri, dhe anulimin e fletarrestimit të paligjshëm dhe antikushtetues ndaj bashkëluftëtarit tonë dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj”, ka thënë Shala.
Shala ka thënë se 1500 ushtarët e Brigadës 121 do të gjejnë forma ligjore e demokratike për ta ndarë fatin me të arrestuarit, përderisa këta të fundit nuk mbrohen në liri.
Ai po ashtu ka shprehur gatishmërinë e ish-ushtarëve të Brigadës 121 për të mbrojtur luftën e drejtë dhe të dinjitetshme të UÇK-së.
“Ne ushtarët e Brigadës 121 nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet lufta e UÇK-së, as nga EULEX-i, e as nga ndonjë forcë tjetër, çfarëdo qoftë ajo, sepse nga këto veprime tërësisht politike po rrezikohet seriozisht shteti ligjor, për të cilin kemi luftuar. Se sistemi ligjor në vendin tonë është në rrezik, dëshmon edhe veprimi i fundit i EULEX-it, i cili për t’ia arritur qëllimit politik, ka dëshmuar se është i gatshëm ta shkelë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Shalës, të gjitha faktet e argumentojnë vlerësimin e Brigadës 121, se fillimi i këtyre hetimeve për këtë proces gjyqësor është kryekëput proces i një montimi politik, i mbështetur nga Serbia.
Anulimin e fletarrestimit ndaj deputetit Fatmir Limaj kanë kërkuar edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Adrian Gjini, të cilët janë përfaqësuesit e vetëm politik në Kosovë që fletarrestimin ndaj Limajt e quajnë kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës. /kosovapress/