Regjistrohen dy shpërthime eksplozivi në Mitrovicë, plagosen 6 zjarrfikës

Mitrovicë, 3 janar 12:38 NOA - Dy shpërthime të lëndëve plasëse që nuk lidhen me njëra-tjetrën, kanë ndodhur gjatë orëve të para të ditës së sotme, informon bashkëpunëtori i agjencisë s lajmeve NOA në Mitrovicë i cili evidenton faktin se gjashtë zjarrfikës kanë mbetur të plagosur.
Shpërthimi i parë ka ndodhur afër mesnatës së 3 janarit, afër një bar-kafeterie, ku u dëmtuan të paktën tetë automjete.
Pak minuta më pas, një grup serbësh të Kosovës u vunë zjarrin dy dyqaneve me pronarë shqiptarë të Kosovës. Por flakët u shoqëruan me një shpërthim i cili edhe plagosi shtatë zjarrfikësit që kishin mbërritur në vendngjarje dhe po shuanin flakët.
Shpërthimi i parë
Rasti i parë është regjistruar në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës kur edhe u lokalizua një shpërthim para kafeterisë “Viva”.
Në lokalin në afërsi të cilit është regjistruar shpërthimi, gjendeshin një numër qytetarësh të rastit por nuk është lënduar askush. Dëme materiale janë regjistruar në së paku tetë vetura civile të cilat ishin të parkuara në afërsi të lokalit.
Hetuesit së bashku me teknikët e kriminalistikës shkuan në vendin e ngjarjes ndërsa ekspertë të KFOR-it për identifikim të mjeteve shpërthyese iu bashkuan atyre.
Policia tha se ende nuk ka mundur të zbardhë rrethanat e shpërthimit, mjetin shpërthyes si dhe autorët e këtij akti të cilët për momentin, mbeten të panjohur.
Shpërthimi i dytë.
Incidenti i dytë ishte i dyfishtë dhe më i rëndë, pasi shkaktoi gjashtë zjarrfikës të plagosur. Ai nisi me vënien e zjarrit në dy lokale private në rrugën “Knjaz Millosh” në lagjen e boshnjakëve, në veri të Mitrovicës.
Policia tha se u informua që një grup personash të nacionalitetit serb, i kishin vënë flakën dy lokaleve, pronë e banorëve shqiptarë në afërsi të shkollës teknike në veri të Mitrovicës.
Njësitë policore të stacionit veri në Mitrovicë, lajmëruan zjarrfikësit që të reagojnë në vendin e ngjarjes.
Gjatë reagimit të njësive të zjarrfikësve, në afërsi të tyre është dëgjuar një shpërthim, që besohet të ketë qenë një mjet eksplodues, granatë dore.
Gjashtë zjarrfikës kanë pësuar lëndime trupore nga ky shpërthim. Ata janë dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës ku mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Veç njësive policore dhe atyre të zjarrfikësve, në vend të ngjarjes janë ftuar edhe ekspertët e KFOR-it, për identifikim të mjeteve shpërthyese.
Mësohet se në vendin e ngjarjes, ekspertët për identifikim të mjeteve shpërthyese, kanë gjetur dhe mënjanuar edhe një mjet tjetër shpërthyes, që besohet të jetë një granatë dore. Mjeti i pashpërthyer besohet të kishte qenë e vendosur së bashku me mjetin tjetër që kishte shpërthyer paraprakisht.
Për arsye të vënies së situatës nën kontroll sa më shpejtë, policia ka kërkuar asistencën e njësive të formuara policore të EULEX-it dhe atyre të KFOR-it.
Menjëherë pas reagimit të forcave shtesë, situata është vënë nën kontroll. Policia pranoi se tani situata paraqitet të jetë delikate por theksoi se gjithsesi ajo është nën kontroll. Ndërkohë, turma të njerëzve të cilat ishin mbledhur gjatë orëve të mbrëmjes, janë shpërndarë me intervenimin e policisë dhe KFOR-it.
a.b/NOA