Dy trafikantë dërgojnë një kuintal marijuanë me mushkë për në Greqi

Viti i Ri nis me vazhdim të trafikut të drogës në Gjirokastër
Gjirokastër, 4 janar 14:57 NOA – Sasia prej afro një kuintal lëndë narkotike e llojit marijuanë u tentua të trafikohet me mushkë në orët e para të ditës së sotme në afërsi të fshatit Pepel, rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës.
Por punonjësit e policisë kufitare gjatë kryerjes së shërbimit, kanë parë dy trafikantët, të cilët lëviznin në drejtim të vijës së gjelbër me një mushkë.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, bënë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA se “në momentin që njësiti kufitar u ka bërë thirrje dy të dyshuarve që ata të ndalojnë, trafikantët janë larguar me shpejtësi, duke përfituar nga errësira dhe moti i keq”.
Mushka (e shihni në foto) që ishte e ngarkuar me 96 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë, u bllokua ndërsa përshkonte rrugën me katër çanta shpine ku kishte 24 pako me drogën që do të dërgohej në Greqi.
Policia tha se është vënë në kërkim të dy trafikantëve por ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre.
v.d/NOA