E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Kosova s’mund të jetë në Evropë si shtet i pavarur

Beograd-Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka deklaruar se Kosova nuk ka ardhmëri evropiane si shtet i pavarur – “por vetëm si krahinë brenda Serbisë”. Në një intervistë për agjencinë Fonet, Tadiç ka thënë se incidentet e fundit në Kosovë përforcojnë qëndrimin e Serbisë se, “në Kosovë nuk respektohen të drejtat njerëzore, para se gjithash ato të popullatës joshqiptare – sidomos të serbëve”.

"Iluzioni se Kosova, me popullatë dominuese shqiptare mund të bëhet një shtet i respektuar dhe hapësirë e civilizuar, ku njerëzit mund të jetojnë të lirë pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, bie në ujë”-deklaroi presidenti serb.

Tadiç shtoi gjithashtu se pas vlerësimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, do të krijohen mundësitë për një proces të ri negociator – por jo për t’u destabilizuar rajoni. "Serbia nuk dëshiron të ketë konflikt, por zgjidhje që nënkupton zhvillimin, qëndrueshmërinë dhe ruajtjen e integritetit territorial të saj”, ka thënë ai. /telegrafi/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›