E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrohen edhe 3 parti në KQZ për zgjedhjet

01/03/2011  PDM, PBLD dhe PLL do të bëjnë sot regjistrimin për garën e ardhshme

Opozita vazhdon bojkotin e KQZ-së për zgjedhjet

Vazhdon regjistrimi i partive të djathta pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa deri më tani asnjë parti opozitare nuk është paraqitur pranë këtij komisioni për tu regjistruar në garën e ardhshme zgjedhore, që do të zhvillohet më 8 maj. Paraditen e sotme në mbledhjen e radhës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë projektvendimet mbi regjistrimin edhe të tri subjekteve të tjera politike. Kështu, në garën për qeverisjen vendore do të marrin pjesë edhe Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, partia “Bashkimi Liberaldemokrat” dhe partia “Lëvizja e Legalitetit”. Gjithashtu në mbledhjen e sotme anëtarët e komisionit më të lartë zgjedhor në vend do të miratojnë dhe modelet e fletëve të votimit që do të përdoren në zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe modelin e fletës së votimit për kandidatët për këshillat e bashkive apo të komunave që konkurrojnë në këto zgjedhje. Fleta e votimit për kandidatët për kryetar bashkie apo komune duhet të këtë formë të njëjtë dhe ngjyrë të ndryshme nga fleta e votimit për kandidatët për këshillat e bashkive apo komunave. Në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të Bashkisë së Tiranës KQZ-ja duhet të miratojë edhe modelin e fletës së votimit për kandidatët për kryetar të njësive bashkiake dhe modelin e fletës së votimit për kandidatët për këshillat e njësive bashkiake, të cilat duhet të kenë ngjyra të ndryshme midis tyre dhe me ato të bashkive dhe komunave.

Raporti

Në mbledhjen e sotme anëtarët e KQZ-së do shqyrtojnë dhe miratojnë projektvendimin “Për miratimin e raportit vjetor të KQZ-së për vitin 2010”, që do ti paraqitet Kuvendit të Shqipërisë.

Modelet

Fletët e votimit duhet të jetë prej letre me ngjyrë, me trashësi dhe elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie. Aty shkruhet logoja e partisë, emri i partisë, emri e mbiemri i kryetarit, shkronjat nistore etj.

Takimi me Topallin

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, i shoqëruar nga kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, zoti Eugen Volfart, zhvilloi dje një takim me kryeparlamentaren e vendit Jozefina Topallin. Sekretari De Brichambaut theksoi rëndësinë që ka respektimi i detyrimeve kushtuese për zgjedhjet vendore të 8 majit nga ana e të gjitha partive politike. “Koha është në anën tuaj. Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe detyrimet kushtetuese për zgjedhjet e ardhshme lokale. Procesi për zgjedhjet e majit do të ecë përpara. Në një vend demokratik është e rëndësishme që nga çdokush të respektohen Kushtetuta dhe shteti ligjor”, - tha De Brichambaut. Nga ana e saj Topalli, duke theksuar rëndësinë e dërgimit të sa më shumë vëzhguesve të OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit, u shpreh: “Rinumërimi i votave nga prokuroria në Shkodër ishte dëshmia absolute e standardeve më të larta të zgjedhjeve të 28 qershorit.”

Takimi me Topin

“Në Shqipëri duhet të rifillojë dialogu politik konstruktiv brenda i institucioneve politike shqiptare dhe të rivendoset sërish fokusi i përbashkët tek e ardhmja e Shqipërisë në Evropë”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Marc Pirrin de Brichambaut gjatë takimit me kreun e shtetit dje në Presidencë. Gjithashtu De Brichambaut nënvizoi se zgjedhjet vendore të datës 8 mund të shërbejnë si një instrument kyç për të ndihmuar në kapërcimin e ngërçit aktual politik.

Nga ana e tij Presidenti Topi i bëri me dije përfaqësuesit të OSBE-së qëndrimin e tij institucional lidhur me situatën e krijuar në vend të shprehur dhe në letrën dërguar kryetarëve të partive politike parlamentare dhe partive të tjera politike me rol aktiv në qeverisjen vendore. “Ngjarjet tragjike të 21 janarit kërkojnë domosdoshmërisht një hetim profesional, të plotë dhe të pavarur, me qëllim që cilido individ që ka shkelur ligjin, pavarësisht përkatësisë politike ose profesionit, të përballet me pasojat e merituara ligjore”, - tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›