E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vajza ime nuk e ka pasur të dashur kosovarin”

01/03/2011  Babai i këngëtares “Emmy” mohon kategorikisht lidhjen e vajzës me biznesmenin

Ndërron jetë në spital 21-vjeçarja Elsina Hidesha, arrestohet 47-vjeçari

TIRANË- “Vajza ime nuk ka qenë për asnjë moment e dashura e atij kosovarit. Janë të gjitha mashtrime, fjalë pa baza që kanë për qëllim vetëm baltosjen e figurës së vajzës sime të shtrenjtë”. Kështu rrëfeu dje me lot në sy Kristo Hidesha, babai i Elsinës, këngëtares që njihej me emrin e artit “Emmy”, e cila ndërroi jetë në orët e para të ditës së djeshme. Vajza 21-vjeçare, e lindur në Rehovicë të Skraparit e banuese në Sauk të Tiranës, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve që mori nga 47-vjeçari nga Kosova, kur e përplasi me makinë. E teksa ka hapur mortin në shtëpinë e tij, pasi kishte ardhur nga Greqia, ku jetonte, Kristoja nuk e përmban dot mllefin ndaj kësaj fatkeqësie, por mbi të gjitha duket se atij i rëndon fakti i atyre që ai i quan thashetheme rreth lidhjes së supozuar të dashurisë mes vajzës së tij dhe biznesmenit kosovar. Duke u sforcuar ai shton se “Mund t’iu garantoj se vajza ime nuk kishte lidhje dashurore me kosovarin. Madje disa kohë më parë ai e kishte kërcënuar se do t’i bënte diçka nëse ajo nuk lidhej me atë. Këtë ma ka treguar vajza vetë”. Ndërkaq, policia njofton zyrtarisht se ka arrestuar si autor shtetasin Aziz Kelmendi, 47 vjeç, banues në Kosovë, teksa ngjarjen e cilëson për motive xhelozie. Biznesmeni nga Mitrovica, babai i 5 fëmijëve, dyshohet se në gjendje të dehur, në rrugën “Sadik Petrela”, pranë lokal “Venue”, e përplasi vajzën me veturën tij "Volkswagen" Touareg me targa të Kosovës 612 KS 188. Elsina Hidesha 21-vjeçarja me origjinë nga Skrapari ndryshe “Emmy”, është bërë e njohur katër vitet e fundit në Shqipëri dhe Kosovë. Disa nga këngët e saj më të suksesshme janë: "Let it play", "Pse të dua ty", "Rastësisht u pamë", "A ma jep", etj. Me të mësuar lajmin familjarët Elsinës që ndodhen në Greqi ishin nisur urgjentisht drejt Tiranës, ndërsa në dyert e spitalit gjatë ditës së djeshme janë parë disa këngëtare të njohura të skenës si: Ingrit Gjoni, Rezarta Shkurta, Ronela Hajati, etj. M.Mullai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›