E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria gati për zgjedhjet e 8 majit”

01/03/2011  Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, takon krerët më të lartë të shtetit. Prani e madhe të vëzhguesve ndërkombëtarë

De Brichambaut: Hetim i plotë i 21 janarit. Berisha: Kryeprokurorja po e dëmton këtë mundësi

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin De Brichambaut, gjatë takimeve që zhvilloi me personalitetet e larta të vendit tonë, e vuri theksin te respektimi i Kodit Zgjedhor nga të gjitha partitë për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Ai theksoi se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe se këto zgjedhje duhet të mbahen në afatin e tyre kushtetues. De Brichambaut u prit fillimisht nga ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe më pas nga Kryeministri, Presidenti dhe Kryetarja e Kuvendit. Në bashkëbisedimet me to sekretari i përgjithshëm i OSBE-së u ndal edhe te ngjarjen e 21 janarit, për të cilën kërkoi një hetim të shpejtë dhe të pavarur.

Zgjedhjet

Përkrah vëzhguesve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme lokale do të ketë një prezencë të madhe edhe të vëzhguesve të OSBE-së. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e diplomacisë shqiptare pas takimit me të De Brichambaut tha se ato do të garantojmë një proces të mirë zgjedhor. “Nuk po flas për asnjë parti në veçanti, thjesht po u kujtoj të gjithëve se praktikat ligjore duhen respektuar. Këtu ka institucione që funksionojnë dhe një kornizë të përshtatshme ligjore. OSBE-ja dhe partnerët e tjerë tashmë e kanë bërë shumë të qartë se nuk ka asnjë arsye për mosmbajtjen e zgjedhjeve më 8 maj, në kohën kur ato janë caktuar. Ne po punojmë brenda familjes së OSBE-së për të krijuar kushte për zgjedhje të mira lokale në Shqipëri. Dhe ne po përgatitemi për një prani të madhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët do të jenë këtu përkrah vëzhguesve lokal shqiptarë, në mënyrë që të garantojmë një proces të mirë zgjedhor”, - deklaroi De Brichambaut. Edhe në takimin e mëpasshëm me Kryeministrin Berisha sekretari i OSBE-së rikonfirmoi mbështetjen e plotë të kryesisë së radhës së OSBE-së për të kontribuar nëpërmjet ekspertizës dhe vëzhgimit që zgjedhjet e 8 majit të ruajnë standardet e larta të konstatuara nga ODIHR-i dhe t’i çojnë ato më tej. Ndërsa Kryeministri Berisha nga ana e tij e siguroi De Brichambaut për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të garantuar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Duke falënderuar për dërgimin e misionit të vëzhgimit, ai u shpreh në favor të dhënies së hapësirave maksimale për vëzhguesit ndërkombëtarë si një mënyrë për të kontribuar në transparencën dhe në cilësinë e zgjedhjeve.

21 janari

Hetim i paanshëm, gjithëpërfshirës dhe në kohë ka qenë vlerësimi që sekretari i përgjithshëm i OSBE-së ka ndarë gjatë takimeve të tij dje me Tiranën zyrtare. “Ne mendojmë se puna e prokurores së përgjithshme, të cilën ne e mbështesim, duhet të kryhet në mënyrë gjithëpërfshirëse, të paanshme dhe të plotë, në mënyrë që të zbulojë dhe të nxjerrë në dritë të gjitha aspektet e ngjarjes së 21 janarit. Kjo duhet bërë pa asnjë ndërhyrje, në mënyrë të paanshme dhe me shpejtësi”, - theksoi De Brichambaut. Por Kryeministri shprehu shqetësimin se ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 janarit, mbi të gjitha aktorët që projektuan tentativën për përmbysjen antikushtetuese të organeve të zgjedhura me votë. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin që pas më shumë se 1 muaj hetim prokurorja e përgjithshme me nxjerrjen e vazhdueshme në media të dokumenteve të procesit hetimor po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm.

Takimi me Haxhinaston

Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë. Ministri Haxhinasto vlerësoi OSBE-në, për kontributin në zhvillimin e reformave dhe konsolidimin e institucioneve demokratike në vend. Gjithashtu ai vlerësoi qëndrimet parimore dhe konstruktive të OSBE, që janë në bashkërendim edhe me përfaqësues të BE-së dhe SHBA, për njohjen e legjitimitetit dhe respektimin e institucioneve kushtetuese dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të dialogut politik brenda këtyre institucioneve. Më tej, kreu i diplomacisë shqiptare siguroi për seriozitetin e shprehur dhe angazhimin për përballimin e sfidës së organizimit dhe realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare. Nga ana e tij, de Brichambaut shprehu vlerësime për progresin e Shqipërisë si një vend anëtar aktiv i OSBE-së e NATO-s.

Reagimi i Partisë Demokratike

Boçi: Rama gati të shkelë mbi 13 mijë kufoma për karrigen

Partia Demokratike ka sulmuar sërish dje përmes deputetit të saj Luçiano Boci kryetarin e opozitës Edi Rama. Gjatë një konference për mediet Boçi ka deklaruar se kreu i selisë rozë është personi që e ktheu Partinë Socialiste në parti të dhunës. “Edi Rama, kreu i pjellave të Kadafëve, Benalive e Mubarakëve shqiptarë, që PD-ja i përmbysi në vitin 1991, njeriu që është i gatshëm të shkelë mbi 13 mijë kufoma për karrigen që kërkon të marrë me dhunë, nuk i shpëton përgjegjësisë për grushtin e shtetit të dështuar të 21 janarit, dhe as përgjegjësisë për viktimat që përdori si mish për top për karrigen e tij”, - tha ai. Deputeti demokrat e ka riakuzuar kreun e socialistëve edhe për korrupsion si dhe përgjegjësin kryesor të ngjarjeve të 21 janarit. “Edvin Kristaq Rama, ky monument i korrupsionit në Shqipëri, ai që e ktheu Partinë Socialiste në partinë e vetme të dhunës në Evropë, kryepuçisti i grushtit të dështuar të 21 janarit, i njohur në botë si “Mr. 20-përqindëshi”, i njohur në Tiranë e Shqipëri si ai që rreh e dhunon çdo grua të tij, e para tyre nënën e tij, ulërin me gjuhë ordinere çdo ditë, me shpresë të kotë se do shpëtojë nga përgjegjësia ligjore e organizimit të grushtit të dështuar të shtetit të 21 janarit”, - deklaroi Boçi. “Edvin Kristaq Rama, - vijoi ai, - përgjegjësi kryesor i grushtit të dështuar të 21 janarit dhe i 4 viktimave, ai që akuzoi babanë e tij se ishte i ati i fëmijës së tij, ai që mohoi fëmijën e tij, ai që ëndërron të djegë çdo gjë për karrigen e tij, i shpërfytyruar e me gjuhë ordinere përdor e helmatis mediet e tij për të shpëtuar nga përgjegjësia që ka për viktimat që ai vetë paralajmëroi më 20 janar. Çdo shqiptar pyet: o turp, ku e ke skuqjen?!”, - e ka mbyllur dekalrtën e tij për mediet deputeti i PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›