E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrohen edhe Superfund e March

Numri i skuadrave të reja që dëshirojnë të marrin pjesë në kampionatin e ardhshëm të Formula 1 shkon në gjashtë. Pas USF1, Kampos Meta1, Prodrajv e Lolas, tashmë janë Superfund dhe March që regjistrohen për Botërorin 2010. Nga skuderitë e madha, vetëm Uilliams dorëzoi dokumentacionin, ndërsa të tjerat me Ferrarin e MekLaren në krye, gjatë së premtes së kaluar kanë bërë kërkesa regjistrimi me kushte. Ajo që bie në sy nga dy kandidatet e reja është se Superfund drejtohet nga ish-piloti austriak, Aleks Vurz, që në të kaluarën ka garuar me Uilliams, Beneton dhe MekLaren. Emri i skuadrës ka ardhur nga kompania që sponsorizon projektin. Disi më e ndryshme çështja për March, e cila ka qenë pjesë e historisë së F1. Ekipi i krijuar në vitin 1969, nga një grup ku bënte pjesë edhe presidenti aktual i FIA-s, Maks Mosli, aktualisht drejtohet nga Andrev Fiton.

Tashmë problemi kryesor i Federatës Ndërkombëtare është se ka shumë kërkesa, ndërsa në edicionin e ardhshëm mund të marrin pjesë vetëm 13 skuadra. Në listën zyrtare, e cila do të publikohet më 12 qershor, të paktën gjysma e skuadrave të reja nuk do të zbresin në pistë. Në anën tjetër, FOTA (Shoqata e Skuadra të Formula 1) ka zbuluar kërkesat ndaj FIA-s, për pjesëmarrjen në kampionatin e ardhshëm. Pika më e rëndësishme është ajo e rregullores: skuadrat kërkojnë që 2010-a të niset nga bazat e 2009-s. Kjo nënkupton që nuk do të ketë kufizime në shpenzime. Sipas drejtorit sportiv të Ferrarit, "tavani" i buxhetit duhet të arrihet "nëpërmjet një mekanizmi të përcaktuar nga FOTA, pra nga skuadrat dhe i monitoruar nga FIA, ku paketa e marshave dhe motori do t‘u kushtojnë skuadrave 6.5 milionë euro për të gjithë ecurinë e sezonit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›