Milani i besohet Leonardos
Menjëherë pas zyrtarizmit të Ançelotit te Çelsi, Adriano Galiani vrapon t‘i urojë mirëseardhjen Leonardos. "Leo ka firmosur një kontratë dyvjeçare, që skadon më 30 qershor 2011", thotë drejtuesi kuqezi konferencën për shtyp në "San Siro". Me kostum dhe kravatë, trajneri i ri i Milanit e di si të zëvendësojë "8 vitet me shumë peshë të Karlo Ançelotit", sikurse ka nënvizuar administratori i deleguar i kuqezinjve. Një detyrë e rëndësishme, që duhet përballuar me qetësi. Galiani, pas komplimenteve të tij për Ançelotin, bën prezantimin e trajnerit të ri: "Me Leon dëshirojmë të ecim në rrugën e Kapelos". Dhe duke u kthyer nga braziliani, i kujton atij: "Kur vendosëm ta largonim nga skrivania për ta çuar në pankinë, gjëja më e këndshme që shkruan ishte, se Fabio është shërbëtori i Berluskonit: por, fitoi 4 tituj, luajti në tri finale të Champions dhe fitoi një". Për të harruar të tjerët, ndërhyn vetë Leonardo: "Fituam Championsin edhe falë Ançelotit. Jam i lumtur, sot është një ditë e rëndësishme: baza e punës time do të jenë serioziteti dhe dëshira për të ecur përpara". Leonardo ka hyrë në rol dhe flet qartë: "Ndihmësi im do të jetë Mauro Tasoti, do t‘i besoj eksperiencës së tij". Kërkon vazhdimësi, por pa humbur nga vëmendja shkencën dhe teknologjinë. Që tani hedh hipoteza për taktikën dhe stërvitjen. Pastaj kalon te moduli. "I kemi bazat, por gjithçka do të jetë e lidhur me ikjet dhe afrimet. Jemi mbështetur te 4-3-1-2 me Karlon, që shpiku pozicionet e Kakasë dhe Pirlos, por mund të kemi edhe variante të tjera; unë mendoj për një lojë sulmuese dhe argëtuese, që të vlerësojë talentin e lojtarëve; atyre që bëjnë diferencën". Pikëpyetja më e madhe është e ardhmja e Kaka. "Uroj që ai të qëndrojë me ne", thekson trajneri i ri i Milanit.