E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrohet në Korçë viktima e parë nga vapa

Vapa regjistron viktimën e parë në qytetin e Korçës. Temperaturat e larta të ditëve të fundit, të pazakonta për klimën e freskët malore të rajonit të Korçës, për fat të keq kanë sjellë dhe një viktimë. Një i ri, vetëm 29 vjeç ka vdekur në vend, ndërsa një atak kardiak sipas mjekëve mendohet të ketë ardhur nga vapa e madhe. Sipas burimeve spitalore, mësohet se Olger Sulollari ka vdekur gjatë rrugës për në spital, teksa është transportuar nga familjarët për ndihmë mjekësore në urgjencën e qytetit. 29 vjeçari është ndierë keq, ndërsa nuk ka mundur të durojë vapën e madhe, temperaturat e të cilës vetëm një ditë më parë kanë regjistruar në termometrin e juglindjes 27 gradë celsius. I riu ka shkuar në shtëpi, gjatë kohës së drekës si çdo ditë tjetër, ndërsa iu ka thënë familjarëve se nuk mund të përballonte këtë vapë, e cila e kishte bërë të ndihej keq që në orët e para të mëngjesit. Ai gati ka rënë pa ndjenja në shtëpi, ndërsa të afërmit e tij të alarmuar e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Korçës. Rrugës për në spital Sulollari ka vdekur, ndërsa këtë e kanë konfirmuar disa çaste më pas bluzat e bardha të spitalit rajonal të juglindjes. Menjëherë është njoftuar policia për të vdekurin, ndërsa kanë nisur dhe hetimet për rastin në fjalë. Autopsia ka dalë në përfundimin, se vdekja ka ardhur si pasojë e një ataku të papritur kardiak, që mund të jetë e nxitur nga vapa e pazakontë, që është duke mbajtur peng prej disa ditësh edhe juglindjen shqiptare. Gjatë kësaj periudhe sipas sinoptikanëve temperatura tradicionale në Korçë është rreth 17 gradë celsius, ndërsa për herë të parë regjistrohen temperaturat e një dite korriku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›