Spiropali: Heqja e faturave aforfe, premtim i pambajtur nga qeveria Berisha
Kandidatja për deputete në Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali ka qenë dje në Njësinë Bashkiake Nr 1 në kryeqytet, atje ku banorët e saj të cilët jetojnë me pak të ardhura dhe ankohen për faturat e papërballueshme aforfe. Spiropali u shpreh se ky është një nga premtimet e pa mbajtura të Kryeministrit Berisha, që aktualisht po bën premtime të reja dhe pse nuk realizoi ato që premtoi në 05.
Veç të tjerave Spiropali, theksoi se sipas programit të qeverisë, për të cilin janë dhënë votat për të qeverisur 2005-2009, faturat aforfe do të zhdukeshin që në 2006, duke cilësuar këtë një premtim i dhënë, i cili nuk është mbajtur. premtim i pa mbajtur. Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij, premtuan se do të marrin fund faturat aforfe të energjisë elektrike. Pra, brenda 2006 sipas programit të qeverisë, siç u premtuan shqiptarëve në 05, do kishin marrë fund faturat aforfe që zhvatin qytetarët shqiptarë. Unë jam në Njësinë 1, ku vijnë vazhdimisht ankesa për fatura aforfe. Jam këtu, gjithashtu, edhe me njerëzit që marrin ndihma ekonomike. Dua të tregoj të gjitha këto fatura dhe këto libreza energjie që janë aforfe, në blloqe banimi, në pallate, ku banojnë njerëz, që nuk ju del as ndihma ekonomike për bukë. Këta njerëz vijnë këtu dhe ankohen për energjinë elektrike, kur marrin 26 mijë lek të vjetra ndihmë ekonomike, por paguajnë 54 mijë apo 84 mijë lekë( të vjetra) energji elektrike, u shpreh ajo. Sipas saj, njerëzve të kësaj zone, po ju zhvaten lekët e bukës, duke shtuar se premtimet e pa mbajtura vazhdojnë dhe nuk kanë fund, sepse njerëzit që marrin ndihmë ekonomike këtu, janë invalidë pune, me verbëri, tetraplegjik, etj., dhe këta njerëz ndërkohë që paguhen kaq pak, pra me shifra mizerabël, 22, 26, 33 mijë lekë të vjetra, ata paguajnë energjinë në shifra të tilla aforfe, edhe pse u premtua se brenda 2006 do të merrnin fund këto lloj faturash. Ky është premtim i pa mbajtur, që cenon, jo vetëm të drejtën e njerëzve për të paguar aq sa detyrohen, por cenon mirëqenien dhe jetën e njerëzve. Kjo politikë e vjetër të mos premtojë gjëra që nuk i mban dhe të mos gënjejë njerëzit që jetojnë në vështirësi, me shifra. Politika e re bën atë që thotë. Ky është dallimi mes nesh dhe kësaj politike të vjetër që do marrë fund në 28 qershor nga bashkimi ynë i madh për ndryshim, përfundoi Spiropali.