Rehabilitimi i të burgosurve, nënshkruhet marrëveshja me Urdhrin e Psikologut

Rehabilitimi dhe riintegrimi në shoqëri i të dënuarve është në fokus të marrëveshjes së nënshkruar këtë të hënë mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Urdhrit të Psikologut.
Marrëveshja u nënshkrua mes e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili dhe Presidentes së Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka bërë me dije se kjo marrëveshje ka si vizion të sajin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Urdhrin e Psikologut të Shqipërisë në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili dhe Presidentes së Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska. Kjo marrëveshje u nënshkrua në kuadër të vizionit dhe misionit të sistemit penitenciar për të shndërruar institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në një mjedis që inkurajon rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria”,- thekson Gjonaj.
“Përmes këtij bashkëpunimi, me qëllim përmbushjen e këtij vizioni, synohet fuqizimi i aseteve njerëzore, skuadrës së madhe të sektorit të çështjeve shoqërore. Kjo, përmes trajnimit të vazhdueshëm, zhvillimit të studimeve të ndryshme, analizës së të dhënave, vlerësimit të programeve të ndërhyrjes, me qëllim arritjen e standardeve për një trajtim të duhur e njerëzor të të burgosurve”,- shprehet Gjonaj./Atsh/