E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milloshovski: “Maqedonisë i duhet kohë të njohë Kosovën”



Maqedonisë do t’i duhet kohë derisa të marrë një vendim për njohjen e Kosovës. Kështu ka deklaruar ministri i jashtëm maqedonas Antonio Milloshovski duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore. “Maqedonia ende nuk e ka pranuar Kosovën. Këtë çështje po e shqyrtojmë. Meqë Maqedonia nuk është Britani, ne jemi fqinjë me Serbinë dhe Kosovën dhe dëshirojmë që me ta të kemi marrëdhënie të mira”,-tha Milloshovski në një intervistë për gazetën çeke, “Lidove Novini”. Sipas tij, zhvillimet në Kosovë, Serbi dhe në Bosnjë janë tema të vazhdueshme të cilave, Bashkimi Europian duhet t'u kushtojë kujdes”. Ndërkohë grupet punuese të Prishtinës dhe Shkupit janë takuar gjatë ditës së djeshme në kryeqytetin Maqedonas për të diskutuar çështjen e demarkacionit të kufirit. Ky ishte takimi i dytë që nga formimi i Grupeve Punuese, ashtu siç parashikohet në pakon e Ahtisarit. Prishtina e ka kontestuar marrëveshjen e vitit 2001 ndërmjet Shkupit dhe Beogradit e cila i jep Maqedonisë rreth 2500 hektarë tokë të Kosovës.

Nimiç në Athinë për emrin, Bakojanis: “Nuk ka zgjidhje deri në qershor”
I dërguari i OKB-së për çështjen e emrit të Maqedonisë, Metju Nimiç, pas takimeve me autoritetet e Shkupit ka shkuar dje në Athinë për t`u njohur me qëndrimin e palës greke për çështjen e emrit. Nimiç është takuar me shefen e diplomacisë greke, Dora Bakojani. “E dini se para një muaji dhashë propozim të ri për emrin të cilin Greqia nuk e pranoi, prandaj në Athinë t’i dëgjoj arsyet per kete refuzim. Pasi t’i dëgjoj të gjitha anët do të dal me një propozim të ri”, - tha Nimiç. Lidhur me emrin kreu shtetëror maqedonas ka pranuar të vazhdojnë bisedimet. Ndërsa Bakojanis është shprehur se nuk beson për një zgjidhje para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni. “Gjasat janë të vogla”, deklaroi shefja e diplomacisë greke Dora Bakojani, duke u përgjigjur në pyetjen nëse çështja e emrit mund të mbyllet deri në fillim të qershorit. “Procesi i negociatave vazhdon, që do të thotë se marrëveshja nuk është arritur”, - deklaroi Bakojanis për Televizionin grek Alfa. Ndërsa pala maqedonase është shprehur e gatshme për kompromis por kushti është që ai kompromis të jetë i ndershëm. Presidenti Branko Cërvenkovski ka theksuar se Maqedonia nuk është e gatshme të pranojë urdhra nga askush.

19 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›