E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Kriza nuk duhet të ndalë zgjerimin e BE

Komisioneri i zgjerimit në BE Rehn ka deklaruar se kriza ekonomike nuk duhet të pengojë zgjerimet e reja me vendet Ballkanike. Rehn kritikon vendet skeptike ndaj zgjerimit, duke deklaruar se faktet kanë treguar që zgjerimi, ka shtuar vende pune. 

BRUKSEL- Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn ka deklaruar se procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të ndalet për asnjë arsye për shkak të krizës ekonomike globale. Këto komente Oli Rehn i ka bërë gjatë një konference në Pragë kushtuar arritjeve të Komisionit Europian në lidhje me zgjerimin, pikërisht 5 vjet pasi 10 vende të Europës Qendrore e Lindore iu bashkuan bllokut Europian në 2004. Nga gjashtë qëllimet që BE-ja i vuri vetes në fushën e zgjerimit në vitin 2004, pesë janë plotësuar, përveç ribashkimit të Qipros. Një ndër to ishte zgjidhja e statusit të Kosovës, ka thënë Rehn. Por Oli Rehn në një interviste për britaniken “Daily Telegraph” ka kritikuar skepticizmin e vendeve si Britania, Gjermania apo Franca në lidhje me zgjerimin e BE.
Pas dorëzimit të aplikimeve nga Shqipëria dhe Mali i Zi, disa qeveri kanë shprehur frikën se një tjetër valë zgjerimi në BE do të nxiste tensionet sociale për vende pune, ndërsa Europa është në krizë ekonomike. “Nuk është faji i një punëtori serb apo një hidrauliku polak se ekonomia botërore tashmë është në recesion” është shprehur Oli Rehn. “Unë jam kundër skeptikëve për zgjerimin”, ka deklaruar komisioneri europian i zgjerimit.
Madje ai vuri në dukje dhe faktet pozitive që ka sjellë zgjerimi i BE. Sipas Oli Rehn që nga viti 2004 tregtia e BE-së është trefishuar, pas zgjerimit me 10 anëtarë të rinj. Zgjerimi ka patur një impakt pozitiv për krijimin e vendeve të punës në Evropë, ka thënë komisioneri i zgjerimit duke u bërë thirrje vendeve anëtare të bllokut të mos pengojnë procesin për hyrjen e anëtarëve të rinj në BE. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›