Rehn: Partitë të punojnë për të ardhmen
Komisioneri evropian për zgjerimin, mbështeti plotësisht raportin e Misionit të Vëzhguesve
TIRANË- Klasa politike shqiptare duket se nuk e kaloi klasën as me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Megjithëse vëzhguesit ndërkombëtarë që monitoruan votimin e së dielës në vendin tonë, nuk e evidentojnë qartë një fakt të tillë, ky vlerësim del qartë në deklaratën e djeshme që ka bërë komisioneri europian për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oli Rehn, i cili nxit krerët e partive politike në Shqipëri që të nxjerrin mësime nga ecuria e procesit, në mënyrë që defektet u vërejtën gjatë këtyre zgjedhjeve, të mos ndodhin më në të ardhmen.
Për këtë arsye ai fton partitë politike në Shqipëri që të angazhohen sa më parë që, nëpërmjet dialogut, të mund të arrijnë të krijojnë kushtet e nevojshme për të realizuar një infrastrukturë zgjedhore, e cila do të garantonte zgjedhje sipas standardeve në të ardhmen.
"Këto zgjedhje nxjerrin në pah qartësisht nevojën që lidershipi politik shqiptar, i të gjitha kaheve politike, të punojë shumë, në mënyrë që të zhvillojë në të ardhmen zgjedhje që janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe që të gëzojnë besueshmëri të lartë të zgjedhësve shqiptarë", - thuhet në deklaratën e komisionarit të lartë të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, ai ka përshëndetur raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it për këto zgjedhje, duke miratuar atë dhe duke evidentuar në të njëjtën kohë se, përmirësimet për të cilat flitet në të, nuk u bënë të prekshme për shkak të politizimit që forcat politike u bënë një sërë çështjeve të karakterit teknik.
"U vura në dijeni mbi konkluzionet paraprake të OSBE/ODIHR-it, në të cilat nënvizohet se në disa fusha janë bërë përparime konkrete. Sidoqoftë, këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit zgjedhor, si dhe dhuna e vërejtur gjatë fushatës zgjedhore. Dita e zgjedhjeve ishte në përgjithësi e qetë dhe paqësore.
Pati përmirësime të lehta për sa i përket procesit të votimit, edhe pse u vunë re disa shkelje procedurale. Jam dakord me deklaratën e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, sipas së cilës, vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve nuk mund të bëhet para numërimit të votave dhe para nxjerrjes së rezultateve", - shprehet Rehn në këtë deklaratë.