E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn: Qeveria duhet të zgjidhë krizën politikeNga Tema Komisionari për Zgjerimin, Olli Rehn, zyrtari i parë evropian që pati artikuluar nevojën që qeveria të zgjidhën krizën politike të krijuar në vend, dje ishte më i prerë në kërkesën e ti

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rehn: Qeveria duhet të zgjidhë krizën politikeNga Tema

Komisionari për Zgjerimin, Olli Rehn, zyrtari i parë evropian që pati artikuluar nevojën që qeveria të zgjidhën krizën politike të krijuar në vend, dje ishte më i prerë në kërkesën e tij. Ai nuk përmendi opozitën dhe bojkotin në Kuvend, por tha se qeveria duhet të mundohet të zgjidhë krizën, pasi ky është një kriter për integrimin e vendit.

“Për Shqipërinë dhe sfidat e saj politike, unë besoj se qeveria e re do të mundohet ta zgjidhë këtë çështje që është e rëndësishme për kriterin politik të Kopenhagës dhe duhet parë si një shans tashmë për të rritur stabilitetin politik e në këtë mënyrë evoluimin e orientimit evropian të Shqipërisë”, - u shpreh Rehn.

Edhe në Progres-Raportin e Komisionit Evropian, kriza politike në vend shihej si shqetësuese dhe kërkohej që të zgjidhej sa më shpejt.

Berisha

Kryeministri, Sali Berisha, foli sërish dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD për kërkesat e opozitës për hapjen e kutive.

Berisha tha se PS nuk paraqiti asnjë provë para Kolegjit Zgjedhor për të rinumëruar votat.

“Kërkesa e zotit Rama për rinumërimin e kutive të votimit në qarqet Berat, Tiranë, Shkodër, Fier është hedhur poshtë si një kërkesë e pabazuar në ligj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por, ajo që është vendimtare, nga Kolegji Zgjedhor.

Zoti Rama, ndonëse kontrollonte shumicën e 50% të komisioneve të të gjitha niveleve në mbarë vendin, me një total prej 20 mijë komisionarësh dhe vëzhguesish të Partisë Socialiste, nuk paraqiti dot as edhe një prove të vetme shkresore apo filmime në Kolegjin Zgjedhor nga i tërë sistemi i regjistrimit të numërimit të votave, për parregullsi në këtë numërim. Këtu qëndron edhe arsyeja pse të gjitha mandatet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u votuan 7 me 0 dhe pse Kolegji Zgjedhur hodhi poshtë kërkesat për rinumërim të votave, të paraqitura nga forcat politike. Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë si të pabazuara në ligj të gjitha kërkesat për rinumërim, sepse, siç thekson Kolegji në gjykimin e çështjeve, Kodi Zgjedhor në nenet 116, 118, nene të propozuara nga zoti Rama në Kodin e ri Elektoral, ka përcaktuar të drejtën e rinumërimit gjatë procesit të numërimit dhe vetëm mbi bazën e kontestimit të menjëhershëm të procesit të numërimit.

Pra, vetëm atëherë kur, ata që bëjnë numërimin, nuk bien dakord. Kështu, Kolegji Zgjedhor në gjykimin e ankesave të partive, bazuar në ligjin zgjedhor, vendosi se, përderisa nuk ka pasur kontestime, thotë Kolegji, nuk mund të ketë rinumërim. Pra, afirmon parimin se, kur nuk ka mosmarrëveshje, nuk ka gjykatë”, - tha Berisha.

Sipas kryeministrit, gjykimi i ankimeve zgjedhore në rrugë gjyqësore është juridiksion vetëm i Kolegjit Zgjedhor dhe PS ka konsumuar të gjitha rrugët e apelimit. Berisha tha se nuk mund të krijohet një Gjykatë e Lartë për Kolegjin Zgjedhor. “Zoti Rama dje u tha shqiptarëve se po rinumërohen votat në Greqi dhe Afganistan. Jo, zoti Rama, votat janë rinumëruar edhe në Shqipëri, por që të gjitha, në Afganistan, në Greqi, në Shqipëri dhe kudo janë rinumëruar nga piramida e vlerësimit të zgjedhjeve”, - tha Berisha.

Rama

Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje se deklaratat e Berishës, se opozita kërkon të ankimojë vendimet e Kolegjit Zgjedhor, janë spekulime.

“Ne kërkojmë hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit dhe jo ankimim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Këto janë pa asnjë lidhje. Sali Berisha këtë e di. Dhe nëse nuk e di, kjo tregon se është njeriu i gabuar në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Por, unë jam i bindur se, lidhja që ai bën me të dyja, është një spekulim prej sharlatani, në përpjekje për të mos lejuar të vërtetën të dalë në dritën e diellit. Dhe kur Sali Berisha thotë se hapja e kutive është ogurzezë, pa dashje thotë një të vërtetë të madhe, por jo për popullin shqiptar, jo për zgjedhësit e zgjedhëset, jo për të vërtetën e domosdoshme të 28 qershorit, por për pushtetin e tij të grabitur, që pa as më të voglin dyshim nuk do të qëndronte në këmbë, në rast se do të ballafaqohej në dritën e diellit, me të vërtetën e kutive të 28 qershorit”, - tha Rama.

Kryetari i PS e quajti bujar krahasimin që i bëri zgjedhjeve në vend me ato në Afganistan.

“Në fakt sot jemi në kushtet kur krahasohemi me Iranin dhe ngjashmëria e njeriut që sot mban pushtetin në Shqipëri me vota të grabitura nuk ka, me sa duket, lidhje me njeriun që drejton Afganistanin, sepse ai, jo vetëm ka lejuar hapjen e kutive, por edhe përsëritjen e zgjedhjeve. Por ka lidhje më shumë me ato modele që i kemi shpjeguar dhe ri-shpjeguar, me republikat sovjetike, ku pushteti numëron, pavarësisht se si voton populli”, - tha Rama.

Ai komentoi dhe garën elektorale të 15 nëntorit dhe qëndrimin e LSI se ata do jenë një alternativë në garë.

“Me sa jam unë në dijeni, këto janë zgjedhje pa konkurrencë, zgjedhje brenda oborrit të shtëpisë së Sali Berishës, zgjedhje ku të sapomartuarit do të ndajnë sipas qejfit të tyre një proces, i cili për ne është një farsë, i cili për ne është krejtësisht jashtë çdo lloj mundësie për t’u quajtur proces normal. Është vetëm një zgjatim i procesit të dështuar të 28 qershorit, ku i vetmi ndryshim është se, ai që bërtiti më shumë më 28 qershor, u bë nuse”, - u shpreh drejtuesi i PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›