E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Të përmbushen kushtet që bojkoti të marrë fund

Pas presidencës suedeze, edhe Oli Rehn përcjell mesazhe të qarta. Kërkohet ulja e palëve në bisedime për të zgjidhur krizën

BRUKSEL – “Të gjithë duhet të sigurojnë, që të përmbushen kushtet, që ky bojkot të marrë fund”. Ky ka qenë qëndrimi i komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oli Rehn, vetëm një ditë pas mesazhit që dha Brukseli për zgjidhjen e krizës politike që ka mbërthyer politikën shqiptare. Gjatë një konference për integrimin e vendeve kandidate dhe ndikimin që do të ketë në këtë proces kriza ekonomike, Rehn kërkoi nga të gjitha palët që të marrin pjesë në zgjidhjen e ngërçit të krijuar. “Mirëpres progresin e mirë të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por një prej kushteve kryesore të kriterit politik të Kopenhagës, është stabiliteti politik dhe maturia demokratike”, - tha zyrtari i lartë i BE-së. Po ashtu, ai theksoi se “bojkoti parlamentar mund të përkufizohet si në kundërshtim me maturinë demokratike”.
Mesazhi
Në një konferencë për shtyp, i pyetur përse thirrja për dialog nuk i drejtohet vetëm opozitës që qëndron jashtë Parlamentit, por të gjitha partive politike, komisioneri Rehn u përgjigj: "Është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë ndaj një dialogu më të mirë politik në Shqipëri. Kjo nuk është një mënyrë europiane e të bërit politikë duke bojkotuar Parlamentin. Ndaj bëj apel ndaj çdokujt që mund të garantojë përmirësimin e kushteve në mënyrë që ky bojkot parlamentar të marrë fund”.
Më tej, Rehn tha se do ta mirëpriste një përparim të mirë të Shqipërisë në procesin e anëtarësimin në BE. “Por, një nga kriteret kyçe politike të Kopenhagës, më duhet të them se është stabiliteti politik dhe pjekuria demokratike. Bojkoti parlamentar për nga përkufizimi, është në kundërshtim me pjekurinë demokratike", - shtoi Rehn. “Jam dakord”, - dëgjohet të thotë Karl Bildt në fund të deklaratës së Oli Rehn.
Qëndrimet
Karl Bildt, ministri i Jashtëm i Suedisë, vend i cili mban presidencën e radhës së BE-së deri në fund të muajit dhjetor, tha se “do t'u bëja apel liderëve në Shqipëri që të pranojnë se për ta çuar këtë vend përpara, ata duhet të ulen". Mesazhi i presidencës suedeze dy ditë më parë dhe mesazhi i përsëritur i Komisionit Europian dje për dialog mes palëve dhe kthimin e opozitës në Parlament përforcojnë njëri-tjetrin për të nxjerrë në pah idenë e përbashkët të institucioneve të Brukselit se rruga e Shqipërisë në BE përshpejtohet vetëm duke kapërcyer krizën politike në vend. Tensionet politike që janë krijuar pas bojkotit të Kuvendit nga PS-ja rrezikojnë të ngadalësojnë procesin për miratimin përfundimtar të statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, e cila tashmë do të përcaktohet nga opinioni që do të japë Komisioni Europian. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së miratoi parimisht kërkesën që qeveria shqiptare paraqiti gjatë presidencës çeke në prill të këtij viti dhe i kërkoi KE-së që të përgatisë opinionin.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›