E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dako, Olldashit: Do të të padis edhe unë, shih 22-katëshin te Shkëmbi i Kavajës



DURRËS – Shtrihet konflikti mes qeverisë dhe strukturave drejtuese vendore socialiste, ku Ministria e Transporteve ka vënë në shënjestër kryebashkiakun e Durrësit. Zoti Olldashi dje njoftoi depozitimin e një kallëzimi ndaj kryebashkiakut Vangjush Dako për lejen e dhënë për një shtesë pallati në afërsi të Portit të Durrësit, por i akuzuari, zoti Vangjush Dako, i është përgjigjur me të njëjtën monedhë, jo vetëm duke sqaruar të gjitha detajet e rastit në fjalë, por duke akuzuar ministrin Olldashi për një tjetër shkelje që është bërë në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Burimet për gazetën “Albania” bëjnë të ditur se sulmi i radhës së maxhorancës me qeverisjen vendore socialiste shkojnë përtej shënjestrës brenda kampit të majtë, duke tentuar që të goditen drejtues të lartë të piramidës shtetërore. Edhe veprimi i djeshëm i Ministrisë së Transporteve ndërmerret me të njëjtin nxitim si edhe prishja e ndërtesës së kunatit të deputetit socialist Dashamir Peza në Tiranë.
Akuza e Olldashit
“Doja t’ju njoftoja që Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka depozituar në Prokurorinë e rrethit Durrës një kallëzim penal në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, zotit Vangjush Dako”, - tha kreu i Ministrisë së Transporteve, duke shtuar se “objekti i kallëzimit është një ndërtesë që ka mbërritur në 21 kate, ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001 nga ish- kryetari i Bashkisë së Durrësit, z. Miri Hoti, ka qenë fillimisht për 12 kate. Më pas, me një shtesë mbi lejen në vitin 2003, janë akorduar dhe 2 kate të tjera, pra nga 12 kate ka vajtur 14 kate”. Objekti i përket kompanisë së ndërtimit “Enrezo” në qytetin e Durrësit.
“Për këtë pallat, Bashkia e Durrësit ka marrë një vendim prishjeje dhe e keqja është se ky vendim prishjeje nuk po ekzekutohet”, - sqaroi Olldashi. Sipas tij, lejimi i ndërtimit të 7 kateve mbi një pallat e bën këtë ndërtesë të rrezikshëm për banorët që jetojnë aty”. “Do t’i kërkoja kryetarit të Bashkisë së Durrësit që të ndërhyjë menjëherë, duke qenë autoriteti i vetëm kompetent për të prishur këtë shtesë mbi këtë pallat, për realizimin e prishjes dhe, për më tepër, të ndërhyjë urgjentisht për evakuimin e banorëve që janë ditë- natë, në mënyrë të pandërprerë, në rrezik permanent”, - tha Olldashi.
Përgjigjja e Dakos
Kryetari i Bashkisë së Durrësit i ka hedhur poshtë të gjitha këto akuza, duke shtuar se do të bëjë kallëzim për shpifje dhe fyerje ndaj ministrit të Transporteve, zotit Olldashi.
Kryebashkiaku Dako ka sqaruar të gjithë opinionin publik se shumë kohë më parë, konkretisht në muajin shtator, ka depozituar një kallëzim penal ndaj subjektit që ndërton këtë pallat. Po ashtu, ai thotë se i ka kërkuar Këshillit Bashkiak edhe miratimin e fondit për prishjen e këtyre kateve pa leje, projektvendim që pritet të miratohet në mbledhjen e radhës pasi këshilltarët e djathtë u tërhoqën nga ky miratim në mbledhjen e fundit.
Midis të tjerash, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, deklaroi: “Ministri Olldashi ka lëshuar shpifjen e radhës ndaj Bashkisë së Durrësit dhe ndaj meje personalisht në lidhje me disa kate pa leje të një pallati që ndërtohet nga firma ‘Enrezo’ sh.p.k., me administrator Enver Shalën. Unë dua të informoj opinionin publik se fjalët e ministrit Olldashi janë thjesht shpifje dhe fyerje ndaj meje, pasi Bashkia e Durrësit e ka marrë vendimin për prishjen e këtyre kateve pa leje në shtator të këtij viti, e pikërisht më datë 15 shtator 2009, me Vendimin Nr. 95”. Po ashtu, Dako shton se në mungesë të mjeteve dhe financimeve, me shkresën nr. 260, që i përket muajit shtator, Bashkia Durrës i ka kërkuar ndihmë Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar për prishjen e këtyre kateve, pasi ato janë në lartësi dhe duhen mjete specifike për t’i prishur. “Është pikërisht Inspektorati Kombëtar që nuk na dha ndihmë dhe atëherë ne iu drejtuam Këshillit Bashkiak për të miratuar një fond të posaçëm për prishjen e këtyre kateve pa leje”, - tha kryebashkiaku Dako, i cili sërish fajëson anëtarët e PD-së në Këshillin Bashkiak për tërheqje nga mbledhja ku do të merrej vendimi për prishjen e shtesës së ndërtesës për të cilën debatohet. Kryetari i Bashkisë së Durrësit thotë se institucioni i tij për këtë rast ka bërë një kallëzim në prokurori ndaj pronarit të kompanisë që më datë 17 shtator të këtij viti dhe më datë 10 nëntor është kthyer përgjigjja nga ana e institucionit të akuzës, duke theksuar se ka nisur procedimi penal me nr. 1384. Mes të tjerash, Dako thotë se Inspektorati i Ndërtimit të Bashkisë ka pezulluar me kohë punimet në objektin për të cilin flet Olldashi.
Detaji
Zoti Dako ka shkuar përtej përgjigjes me të njëjtën monedhë ndaj zotit Olldashi. Ai është shprehur se institucioni që drejtohet nga ministri i Transporteve dhe qeveria, konkretisht Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, ka miratuar për të njëjtën kompani lejen për ndërtimin e një objekti disa katesh më të lartë në bregdet. “I them këtij ministri që të mos shpifë për Bashkinë e Durrësit, që vepron në përputhje me ligjet dhe rregullat, por të shikojë pallatin 22-katësh që po ndërton i njëjti person në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku janë 12 kate pa leje”, - thuhet në deklaratën zyrtare të Bashkisë së Durrësit. Sipas saj, “ky ministër dhe të gjithë ministrat e tjerë të Berishës, në vend që të plotësojnë kërkesat e drejta të pushtetit vendor për cenimin e autonomisë dhe uljen e të ardhurave ndaj vendorëve në kundërshtim me ligjet e këtij shteti, vazhdojnë të tensionojnë situatën me shpifje të tilla të ulëta”. Kjo është përplasja e dytë mes ministrit të Transporteve, zotit Sokol Olldashi dhe kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›