Tirana, para misionit “Lushnja”
Tirana është para një testi jo të lehtë me Lushnjën në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë në “Roza Haxhiu” përfundoi në barazim 2-2. Lajmi i fundit nga kampi i Tiranës është pezullimi i sulmuesit Migen Memelli nga trajneri Alban Tafaj, autori i një goli në ndeshjen e zhvilluar në Lushnjë, ndërkohë që shënuesi tjetër bardheblu ishte Arbër Abilaliaj. Për lushnjarët shënuan Alban Bizhyti dhe Gentian Çela.
Raporti aktual i kualifikimeve midis dy ekipeve është: 9 Tirana, 1 Lushnja, ndërsa i ai 20 ndeshjeve midis tyre: 13 fitore Tirana, 3 barazime dhe 4 fitore Lushnja. Tirana e ka fituar 13 herë Kupën e Shqipërisë, e fundit në edicionin 2006-2007 dhe ka humbur 8 finale. Lushnja nga ana e saj ka qenë 3 herë finaliste, por pa e fituar asnjëherë atë.
Dinamo, për hakmarrje ndaj Bylisit
Bylis, kryesuesja e Kategorisë së Parë, është e vetmja skuadër që ka mundur gjatë këtij sezoni futbollistik Dinamon, dominuesen absolute të Superligës, kur të dyja skuadrat më të mirat në kompeticionet përkatëse u ballafaquan në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Bylisi fitoi 1-0 në “Adush Muça” me një gol të realizuar nga Armando Gega në minutën e 27-të, në takimin e vetëm historik midis dy klubeve në Kupën e Shqipërisë.
Tashmë Dinamos i duhet të fitojë minimalisht me dy gola diferencë për të siguruar kalimin për herë të 44-t në çerekfinalet e edicionit të 58-të Kupës së Shqipërisë. Bylis nga ana e tij ka marrë pjesë vetëm dy herë. Ballshiotët e Ilir Spahiut eliminuan Turbinën në turin e parë (0-1, 3-0), ndërkohë që blutë e Shkëlqim Muçës u kualifikuan pas dy fitoreve me Mamurrasin (3-2, 2-0), kryesuesen e grupit të Veriut në Kategorinë e Dytë.
Dinamo është 13 herë fituese e Kupës së Shqipërisë dhe ka qenë në finale 18 herë (5 të humbura), ndërkohë që Bylisi nuk ka shkuar kurrë as në gjysmëfinale.
Shkumbini, “rëndon” goli në transfertë
Shkumbini shënoi një gol me vlerë në barazimin 1-1 me Kastriotin në Krujë në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, dhe futet në fushë me bindjen e plotë se do të jetë për herë të 10-të në çerekfinalet e kupës. Shqiptaro-kroati Pllumb Jusufi shënoi pa kaluar minuta e parë për Kastriotin, por Shkumbini vendosi e ekuilibrat në minutën e 12-të kur Ilirjan Çaushaj barazoi nga pika e bardhë.
Besa, puna gjysmë e kryer
Besa fitoi 1-0 në transfertë kundër Laçit në Lezhë, dhe duket se ka një avantazh jo të vogël ndaj laçjanëve me të cilët luan po në Kategorinë Superiore dhe i mjafton edhe një barazim i bardhë.
Besa fitoi 1-0 me Laçin në takimin e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Golin e vetëm të takimit e realizoi mesfushori Artion Poçi në minutën e 30-të me një goditje të lirë.
Vllaznia, kualifikimi punë e mbaruar
Vllaznia ka të drejtë ta konsiderojë kualifikimin për në çerekfinalet e edicionit të 58-të Kupës së Shqipërisë, pasi në ndeshjen e parë të turit të dytë të kompeticionit fitoi 3-1 në Kamëz. Për Vllazninë, 6-herë fituese të këtij trofeu, shënuan Edmond Doçi 8’, Dritan Smajli 12’ dhe Ndriçim Shtubina 67’ (11-m). Golin e nderit për Kamzën e Kategorisë së Parë e shënoi Albjon Blloku (22’).
Teuta - Partizani, gjithçka e hapur
Teuta e konsideron objektiv primar fitimin e Kupës së Shqipërisë, por për të njëjtat synime lufton edhe Partizani, tashmë pjesë e Kategorisë së Parë. Gjithçka është e hapur, pavarësisht se Teuta ka shënuar në transfertë. Partizani e Teuta nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Për Partizanin, realizoi Jurgen Agolli (5’), ndërsa për Teutën, barazoi Altin Hoxha (44’).
Flamurtari, kupa më shumë se nder
Flamurtari, fituesi në fuqi i Kupës së Shqipërisë, por vendi i fundit në sezonin aktual të Kategorisë Superiore, do të presë në shtëpi Gramozin e parafundit, por ndaj të cilit humbi në Ersekë në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Gramozi i trajnerit vlonjat Agim Canaj arriti të dalë fitues me Flamurtarin (1-0), fitues në fuqi i Kupës së Shqipërisë, falë një goli të mrekullueshëm të realizuar nga kosovari Shpëtim Babaj në minutën e 29-të.
Apolonia synon përmbysje me Skënderbeun
Apolonisë i duhet të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë ndaj Skënderbeut, për të synuar për herë të 17-të një vend në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu fitoi 1-0 me Apoloninë e Fierit në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Golin e vetëm të takimit për skuadrën korçare e realizoi Jorgo Çipi (75’).
KUPA E SHQIPERISË
TURI 2
NDESHJET E KTHIMIT
DATE 09.12.2009
GRUPI A
Tirana-Lushnja (2-2)
Dinamo-Bylis (0-1)
Shkumbini-Kastrioti (1-1)
Besa-Laci (0-1)
GRUPI B
Vllaznia-Kamza (3-1)
Teuta-Partizani (1-1)
Flamurtari-Gramozi (0-1)
Apolonia-Skënderbeu (0-1)
-Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para. Takimet fillojnë në orën 13:00
9 Dhjetor 2009