E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn e Sarkozi: Unitet në BE për të ndihmuar Greqinë

BRUKSEL- Bashkimi Europian deklaron se për shpëtimin e Greqisë do të ketë një ndërhyrje në dy kohë, së pari këtë të dielë do të lëvrohet kësti prej 12 miliard euro dhe në 11 korrik do të vendoset mbi pjesëmarrjen e kreditorëve privatë në ndërhyrjen e dytë të ndihmës. Kjo gjë është konfirmuar nga vetë komisioneri europian i zgjerimit Olli Rehn, i cili i ka bërë apel 27 vendeve të BE-së të kapërcejnë përcarjet lidhur me këtë cështje. Ai shtoi se nevojitet përgjegjshmëri politike si nga ana e partive politike greke ashtu edhe nga zyrtarët më të lartë ekonomikë europianë. Të mbledhur të martën në Bruksel, ministrant e Eurozonës nuk arritën të bien dakord mbi ndihmat e reja ndaj Greqisë, vecanërisht përsa i përket pjesëmarrjes së bankave dhe kreditorëve të tjerë privatë në planin e ri të ndihmave. Të dielën në Luksemburg do të diskutohet pikërisht për kushtet e një programi të ri ndihmash për Greqinë dhe natyrën e pjesëmarrjes së sektorit privat me objektivin për të marrë një vendim në mbledhjen e rradhës së eurogrupit në 11 korrik. E ndërkohë edhe Presidenti francez Nikola Sarkozi ka bërë thirrje sot për përgjegjshmëri dhe një ndjenjë kompromisi, ndërsa qeveritë europiane po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për krizën në Greqi. Duke folur në një konferencë të organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, Sarkozi tha se duhen lënë mënjanë grindjet në interesin e të gjitha shteteve europiane. “Në javët e kaluara, është ngritur një debat publik mbi formën por jo principin, pra ndihmën për Greqinë. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për unitet”. – tha Sarkozi sipas të cilit, vendet anëtare të BE-së duhet të dalin përtej problemeve të tyre kombëtare dhe të gjejnë sërish fatin e përbashkët në Europë.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›