Rehn për zgjedhjet: Përmirësime, por kishte edhe mangësi
Komisioneri për zgjerim në Parlamentin Europian, Olli Rehn ka deklaruar sot se është në pritje të raportit të OSBE/ODIHR-it për të dhënë një vlerësim për zgjedhjet parlamentare në vendin tonë.
Gjatë një deklarate për shtyp mbajtur sot në takimin me anëtarët e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë (AFET) mbi zhvillimet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor, Rehn ka theksuar se "zgjedhjet e fundit të Shqipërisë ishin më të mira se në vitet e mëparshme, edhe pse ende u vunë re mangësi. Ne jemi duke pritur raportin OSBE/ODIHR-it për të dhënë vlerësimin përfundimtar mbi zhvillimin e zgjedhjeve. Le të shohim se çfarë ndodh. Komisioni është i gatshëm për të përgatitur opinionin e vet mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE"- tha ai.
Më tej, ai ka folur për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, duke shtuar se këto vende duhet të plotësojnë kushtet.
"Nëse ata mbajnë lart ritmin e reformave dhe plotësojnë kushtet, Komisioni mund të parashikojë të bëjë një propozim të ri nga mesi i 2010. Shpejtësia e përparimit këtyre vendeve drejt udhëtimit pa viza është në duart e udhëheqësve të tyre"-tha Rehn.