Rehn:Vizat për Ballkanin Perëndimor,mund të liberalizohen këtë vit
Bashkimi Evropian mund të vendosë këtë vit për t'u ofruar lëvizje të lirë pa viza qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të çelë bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë. Deklarata është bërë nga vetë komisioneri i BE-së për Zgjerimin,Olli Rehn."Ne dëshirojmë të çojmë përpara çështjen e udhëtimit pa viza. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor", deklaroi Rehn.Duke folur në Parlamentin Evropian, Rehn theksoi se pavarësisht tendosjes në zgjerimin e bllokut 27-anëtarësh, Komisioni Evropian mund të rekomandojë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti heqjen e vizave për disa vende të Ballkanit, nëse ato arrijnë progres në kryerjen e reformave të ndërmarra. Pas kësaj, ministrat e Brendshëm të BE-së mund të marrin një vendim përfundimtar deri në fund të vitit 2009, duke marrë parasysh progresin e vendeve ballkanike në luftën kundër krimit të organizuar, pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike dhe efikasitetin në kontrollin e kufijve.Ai shtoi se Komisioni mund të propozojë këtë vit edhe fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë, nëse ky vend përmbush reformat politike dhe ekonomike, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.