E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi:Obama më i respektuar nga liderët botërorë se Bush-i

Më shumë se 80 përqind e amerikanëve mendojnë se Barak Obama do ta prezantojë më së miri SHBA-në, në botë. Kjo sipas një sondazhi të ri të publikuar, mbi udhëtimin e parë të Obamës si President i SHBA-së përtej oqeanit. Itinerari i Obamës përfshin pjesëamarrjen në samitin e G20-ës në Londër, i ndjekur nga samiti i NATO-s në kufirin franko - gjerman, si dhe vizitat në Çeki dhe Turqi. Ndërkohë, gjithnjë sipas sondazhit të realizuar nga rrjeti televiziv amerikan CNN, shtatë në 10 persona besojnë se liderët e vendeve të tjera respektojnë Obamën, një figurë me kontrast të mprehtë nga paraardhësi i tij Xhorxh W. Bush, në të njëjtën fazë të presidencës. Ndërkohë, vetëm 49 përqind e amerikanëve besojnë se liderët e huaj respektojnë Bushin. "Përveç periudhës pas sulmeve të 11 shtatorit, kur numrat nuk kanë qënë kurrë më të mirë për Bushin, shumica e amerikanëve, madje edhe disa republikanë, besojnë se drejtuesit botërore respektojnë Obamën", shprehet drejtori i sondazhit Keting Holland. Popullariteti i Obamës në Europë është rritur shumë që nga viti i kaluar gjatë vizitës së tij parazgjedhore në Gjermani, Francë dhe Britaninë e Madhe, kur qindra mijëra persona dolën për të dëgjuar kandidatin e atëhershëm për President të flistë në Berlin. Zgjedhja e tij si President u festua gjerësisht në mbarë kontinentin. Por analistët shprehen se Obama ndodhet tashmë nën presion për të mbajtur fjalën e dhënë në popull. "Nëse ekziston një luftë tregtie mes Amerikës dhe Europës, dhe si rezultat europianët do të humbasin vendet e punës, kjo do ta bënte Obamën shumë jopopullor. Së dyti, nëse do të ketë shenja të një kthimi të arrogancës së kohës së Bushit, kjo do ta dëmtonte seriozisht popullaritetin e tij", thotë analisti britanik Piter Kellner. Sondazhi i CNN është zhvilluar në datat 12 deri më 15 mars, me një mijë e 19 amerikanë të rritur, të cilët janë anketuar përmes telefonit. Marzhi i gabimit të këtij sondazhi është plus - minus tre pikë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›